Salihu dha sqarime plotësuese se si do të funksionojë ura “ASNOM” pasi të lëshohet në përdorim muajin tjetër

I kuptoj reagimet të cilat i pamë nëpër faqet e internetit dhe rrjetet sociale, sepse jemi para zgjedhjeve dhe ka një tendencë projekte të tilla të mëdha të nënçmohen, për të nënvleftësuar rëndësinë e tyre. Ajo që dua të sqaroj, dhe që nuk ishte shumë e qartë për qytetarët, është se ky projekt ndërtohet në tri faza. Faza e parë është depërtimi i bulevardit “ASNOM” nga ana e Aerodromit, gjë që tashmë e shikojmë këtu. Faza e dytë është ura “Mihajlo Apostolski” që është në përfundim e sipër dhe që mund të shikohet. Faza e tretë është depërtimi i bulevardit nga Keramidnica deri te ura dhe si zgjidhje e plotë e bulevardit, deklaroi zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu, në “Informimi i mëngjesit” i “Slobodna TV”.

Siç e shikoni, tashmë po lëvizim nëpër bulevardin “ASNOM”, dhe ura duhet të jetë gati në 30 ditët e ardhshme. Ajo që duhet të dinë qytetarët për këtë urë dhe bulevardin është se do të ketë 6 korsi automobilistike, 3 nga njëra anë dhe 3 nga ana tjetër, do të ketë korsi për biçikleta, ndriçim led, do të ketë korsi për këmbësorë, fidanë të mbjellë dhe gjelbërim, shtoi Salihu.

Kur filluam me depërtimin e bulevardit “ASNOM” nga ana e Keramidnicës, treguam qartë se bulevardi nga ajo anë do të lëshohet në përdorim në qershor të vitit 2022, megjithatë ajo që duhet të sqarohet është se pas urës (nga Aerodromi drejt Gazi Babë) ka edhe rrugë sekondare, kështu që kur do të lëshohet në përdorim pjesa e urës së bashku me bulevardin nga ana e Aerodromit, në fillim do lidhet me ato rrugë sekondare dhe pastaj, diku në Qershor vitin e ardhshëm, do të lidhet plotësisht me bulevardin nga ana e Keramidnicës, sqaroi Salihu.

Me ndërtimin e kësaj ure do të zgjidhet kaosi në këtë pjesë të qytetit. Ne shikojmë se në trafik çdo ditë qytetarët janë nervozë dhe kjo nuk është e rastësishme. Kemi shumë gryka të ngushta nëpër qytet të cilat duhet të çlirohen. Për fat të keq në qytet ka një numër gjithnjë e më të madh automobilash, dhe ajo që po bëjmë si qytet është inkurajimi për përdorimin e transportit alternativ, prandaj të gjitha bulevardet kanë trotuare dhe korsi për biçikleta me qëllim që të zvogëlojmë kaosin në trafikun rrugor, potencoi Salihu.

Një urë e tillë për herë të fundit është ndërtuar në vitet 70-të, ajo është ura “Goce Delçev” deri te Qeveria, dhe të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj ure. Imagjinoni sikur të mos ishte kjo urë, çfarë kaosi do të ishte në atë pjesë të qytetit. Me lëshimin në përdorim të kësaj ure, kjo pjesë e qytetit, do të shkarkohet nga aspekti i trafikut rrugor. Për shembull, nga Çairi për të arritur deri këtu më duhen rreth 40 minuta, imagjinoni të ishte lëshuar në përdorim kjo urë dhe ky bulevard, sot këtu do të isha për 10 minuta. Shkurtimi për 30 minuta i kohës së shkuarjes ose ardhjes nga puna, është tejet i rëndësishëm për qytetarët e Shkupit, përfundoi zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Valon Salihu në deklaratën për “Informimi i mëngjesit” i “Slobodna TV”.