Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ky do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Mustafa dënohet me 10 vjet burgim për krimin e luftës së ndalimit arbitrar pika 1, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës pika 3, dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme pika 4. Trupi gjykues ju dënon me vendi të njësuar më 26 vjet burgim në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim” Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Për çfarë akuzohet Mustafa?
Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.
Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.
Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.
Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.
“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive”.

“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.
“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.
Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, janë rrahur, janë djegur.
“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.
Ajo po ashtu ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.
Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.
“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qenë, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.
Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.