Sali, u testuan 200 nxënës, ja sa dolën pozitiv


Prej 200 nxënësve të moshës shkollore, të cilët dje janë testuar në kuadër të skriningut që zbatohet nga shteti që të konstatohet shpërndarja e koronavirusit në shkolla, vetëm një ka qenë pozitiv, kumtoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

“Rezultatet janë pozitive, nga kryerja e 200 analizave gjatë ditës së djeshme kemi marrë vetëm një rezultat pozitiv. Shpresojmë se në Shkup edhe dy-tre ditë do të zgjatë analiza, pasi që këtu ishte numri më i madh i fëmijëve të infektuar, nëse është ashtu numri edhe në pjesët tjera të qytetit, në atë rast nuk ka nevojë që të vazhdohet me analizat”, tha ministri Sali.

Ai shtoi se është befasi pozitive interesi i prindërve që fëmijët e tyre të marrin pjesë në këso testime. Gjatë ditës së djeshme, kanë dhënë pajtueshmëri 4.000 prindër, që është katërfish më shumë se sa numri që ka qenë i nevojshëm për ta filluar skriningun.

Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar skrining të fëmijëve shkollor pasi që është vërejtur rritje e vogël e të infektuarve në moshë prej 6 deri në 14 vjeç pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë.