Sali në takim virtual me Kluge: “Maqedonia e Veriut e përkushtuar për reformat në shëndetësi”

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, sot ka zhvilluar takim me drejtorin rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge. Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, Sali në takim ka thënë se Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që të investojë në reformat shëndetësore dhe të vazhdojë progresin e arritur më parë, me qëllim arritjen e standardeve të BE-së.

“Vendi ynë po shënon një përmirësim të ndjeshëm në treguesit e kujdesit perinatal. Vitet e fundit, falë mbështetjes së OBSH-së, shkalla e vdekshmërisë neonatale është ulur nga 6.3 në 2019 në 4.2 në 2020. Ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje për të forcuar burimet njerëzore dhe kapacitetet e tjera në spitalet kyçe në nivel rajonal”, tha ministri Sali. Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për aktivitetet e planifikuara që synojnë parandalimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme.