Sa kushton ora e Putinit që e pati në dorë gjatë takimit me Bidenin

Gjatë takimeve të niveleve të larta mes liderëve, natyrisht se vëmendja kryesore është te temat që diskutohen dhe te deklaratat e tyre pas bisedimeve. Megjithatë, disa njerëve u interesojnë edhe disa hollësi, që janë më pak të rëndësishme.

Të mërkurën, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, u takuan në një vilë luksoze në Gjenevë të Zvicrës. Para se të hynin në ndërtesën e shekullit XVIII, dy ndër liderët shtrënguan duart para gazetarëve.
Për shkak të pozicionit para fotografëve dhe për shkak se Putini e kishte vendosur orën në dorën e djathtë, në fotografi shihet vetëm ora e presidentit rus, por jo edhe ajo e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Meraklinjve të orëve të dorës mund t’u interesojë se çfarë ore kishte në dorë presidenti rus, cilat janë veçoritë e saj dhe, mbi të gjitha, sa kushton ajo.
Ora në dorën e Putinit është e firmës zvicerane, “Blancpain”, e themeluar në vitin e largët, 1735. Kjo kompani njihet për orët luksoze dhe të shtrenjta, si shumica e kompanive zvicerane.

Modeli në dorën e Putinit quhet “Blancpain Aqua Lung” dhe modeli bazë kushton rreth 10.000 euro, por çmim i saj mund të jetë shumë më i lartë, nëse zgjidhet modeli nga ari.
Rezistencën ndaj ujit e ka 10 ATM ose deri në 100 metra thellësi. Xhamin e ka nga safiri, ndërsa rripat nga lëkura e zezë.
Duket se edhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, është merakli i orëve luksoze. Ai në disa raste është parë me “Rolex” dhe “Omega”.