Sa e vështirë të vozitësh në Kosovë, e tregon dikush që vet e pësoi |FOTO

Numri i aksidenteve në trafik është shtuar jashtëzakonisht shumë, sa pothuajse është bërë përditshmëri që në rrugën e Kosovës, të ndodhin çdo ditë aksidente ku mbesin të vdekur edhe deri në gjashtë persona në ditë.

Pavarësisht shtimit të masave nga ana e policisë, aksidentet vazhdojnë të jenë në numër të madh, sidomos tash kur në rrugët e Kosovës janë shtuar edhe veturat e mërgimtarëve.

Javën e kaluar pamë një aksident të rëndë me dy të vdekur kur një veturë kishte hyrë në kahun e gabuar të magjistrales dhe goditi veturën e cila po lëvizte në kahun e rregullt të saj. Aty ngelën të vdekur, shoferët e të dy veturave, dhe lëndime të rënda morën pasagjerët.

Se sa është bërë e vështirë të vozitësh në Kosovë, e tregon Diellon Ademi, i cili thotë të ketë qenë vet viktimë e një vozitje të pakujdesshme nga një shofer tjetër, që duke shkelur rregullat e trafikut, goditi veturën në të cilën ai ndodhej.

Ademi në një postim të tijin në faqen ‘Marakli të Kerreve’, ka publikuar dy foto të aksidentit dhe përshkrimin se si kishte ardhur deri te ky aksident.

Sipas tij, vetura që po vinte në kahun e kundërt të veturës ku ai ndodhej, kishte hyrë në kthesë me shpejtësi të madhe dhe kishte goditur përballë veturën që po lëvizte konform rregullave të trafikut.

Gazeta Metro publikon pa ndërhyrje postimin e tij.

“U bo zor me vozit nkosov o vllazni vjen frajeri nkthes 80 or hin e trrok e perpak na myti nan e moter e dhander e dy fmi tvogel njani 3 vjet tjetri 1 vjet per qka per budallak bre shqiptar i flliqt runu bre o vllazni se vallahi u bo rrezik me dal me kerr”, shkruan Ademi.

Pavarësisht fushatave në media dhe rrjete sociale, që të kihet më shumë kujdes gjatë vozitjes, numri i aksidenteve vazhdon të jetë i madh.