Sa e ndihmon Maqedonia e Veriut zhvillimin e blegtorisë?


Shkëmbimi i përvojave i blegtorëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, si dhe bashkëpunimi i tyre ishte në qendër të vëmendjes gjatë vizitës studimore që u mbajt në disa qytete perëndimore të vendit, me përkrahje të Bankës Botërore. Koordinatori i projektit Lulzim Fejzullahu gjatë takimeve që u mbajtën në Dibër mes blegtorëve dibran me ato të Kosovës theksoi se këto vizita studimore kanë një domethënie shumë të madhe meqë mundësohet njohja më e mirë e fermerëve në të dy shtete me standardet Europiane në sferën e blegtorisë. Në Dibër, blegtorët kosovarë vizituan edhe fermerë të cilët kanë arritur rezultate shumë të mira..

Në takimin që u mbajt në Dibër, eksperti i blegtorisë dhe koordinatori i këtij projekti, Lulzim Fejzullahu potencoi se edhe pse rajoni perëndimor i vendit ka kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë, megjithatë si pushteti lokal ashtu dhe pushteti qendror, nuk kontribuojnë sa duhet për zhvillimin e kësaj dege, edhe pse institucionet të BE-së janë të qartë në kërkesat që Maqedonia e Veriut të angazhohet më shumë në sferën e bujqësisë dhe blegtorisë. “Vizitave të blegtorëve kosovarë dhe kontaktet me blegtorët e vendit tonë treguan se në Kosovë, ka një avancim më të madh të fermerëve si në aspektin e pajisjeve që posedojnë ata, ashtu edhe në rritjen e krerëve të bagëtisë”, deklaroi për gazetën KOHA, Fejzullahu. Takimet mes blegtorëve nga së afërmi i ndoqi edhe drejtoresha e Bankës Botërore, Silvia Mauri, e cila pati mundësi të vititojë edhe disa ferma në Dibër dhe rajon.

Nikoqir i takimit mes blegtorëve dibran dhe atyre nga Kosova ishte shoqata e blegtorëve “Dashi”. Kryetari i kësaj shoqate, Skënder Ame, një fermer i njohur në pjesën perëndimore të vendit, potencoi se të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa perëndimore e vendit ka një numër shumë më të madh të bagëtisë në krahasim me rajonet e tjera të vendit. “Edhe pse në nivel të vendit numri i bagëtisë së imët nuk është as edhe 1 për qind në krahasim me popullatën, në rajonin e Dibrës duke marrë parasysh se numri i bagëtisë së imët është mbi 40 mijë, në krahasim me popullatën kjo përqindje është tre herë më e madhe që do të thotë se në 1 banor, ka mbi 3 bagëti të imët. Por, kjo nuk do të thotë se situata në sferën e blegtorisë edhe në këtë rajon është në nivelin e duhur meqë dekada më parë, numri i bagëtisë ka qenë shumë më i madh”, tha Skënder Ame.

Ai potencoi se vizita e blegtorëve kosovarë është shumë e dobishme meqë janë shkëmbyer eksperienca, por edhe mënyra e shfrytëzimit të kredive nga Banka Botërore. Ame potencoi se viteve të fundit në Dibër ka edhe ferma të niveleve europiane dhe veçmas theksoi faktin se rajoni i Dibrës ka kullosa dhe vegjetacion që plotësojnë të gjithë kushtet për zhvillimin e blegtorisë. Subvencionet, por edhe kreditë e Bankës Botërore janë të mirëseradhura, thotë ai. Gjatë vizitës në Dibër, fermerët kosovarë dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore patën takim me përfaqësues të ambulancave të veterinarëve, si dhe vizituan fermat e blegtorëve lokale të Axhibajram Çankës, i cili ka shumë sukses në zhvillimin e blegtorisë lokale.