“Ryshfeti në Bllacë”, policia zgjeron hetimin

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski vlerëson se për rastin e marrjes së ryshfetit nga ana e nëpunësve policorë në pikën kufitare në “Bllacë” nevojiten sanksione të rrepta, shkruan Alsat.

Spasovski në një deklaratë ekskluzive për Alsat lë të kuptohet se hetimi për këtë rast është duke u zgjeruar për të vërtetuar nëse brenda rrjetit korruptiv ka të përfshirë edhe policë të tjerë.

“Për shkak se është ngritur kallëzim penal, nuk dua të parashikoj se si do të ndodhë tani e tutje, por duhen sanksionet më të rrepta për korrupsionin në fjalë dhe këtë e mbështes pa rezerva. Presim që të qartësohet të gjitha dëshmitë në fazën e vlerësimit. Hollësisht do të hetohet i gjithë ky rast, të shohim a ka të përfshirë të tjerë, bëjmë analizën e plotë në këtë drejtim dhe shpresoj se hetimi do të përfundojë me sukses”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Sipas Spasovskit policia vendase është duke shkëmbyer informacione me policinë nga rajoni, përkatësisht nga Kosova dhe Serbia për krim të mundshëm ndër-kufitarë. Sipas tij në këtë situatë rol të madh luajnë edhe qytetarët.

“Shkëmbimi i informacioneve dhe të dhënave është aktivitet kryesorë i policive tona. Kemi bashkëpunim të mirë në çdo segment të krimit. Edhe këto të dhëna shkëmbehen. Është shumë me rëndësi që edhe qytetarët të bashkëpunojnë. Çdo një qytetar i cili për arsye të ndryshme i kërkohen para, ta paraqesë dhe të bashkëpunon me organet”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Nga Prokuroria Publike njoftuan shkurt se akoma janë duke pritur kallëzimet penale nga MPB-ja që më pas organi akuzës të vlerësojë nëse hapet ose jo procedurë penale. Nëse do të kërkohet ose jo masë kujdesi ndaj dy policëve, kjo do të varet nga prokurori i lëndës i cili duhet të vendosë edhe për mënyrën e ndjekjes penale, me procedurë të rregullt ose procedurë të shkurtuar, gjë që lë të kuptohet se dy policët e dyshuar për marrje ryshfeti mund të mos përfundojnë në paraburgim derisa një gjë të tillë nuk e kërkon Prokuroria Publike. Denoncimi i tyre u bë në emisionin “Stop” në televizionin Klan, taksa Elham Shkreta dhe Zylbehar Rakipi “kapen me presh në duar” duke marr ryshfet nga 20 euro për kokë udhëtari nga një kompani e transportit publik nga Shqipëria. Për shpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti dhe kontrabandë, Kosova dhe Shqipëria javën e kaluar arrestuan 26 zyrtarë policorë. /Alsat.mk