FIFA ka zhdukur zyrtarisht korrupsionin, e për këtë është mjaftuar, figurativisht, me vetëm një të shtypur të butonit “fshi”. Zyrtarët sportivë dhe futbollistët, të cilët si zakonisht kontrollojnë Kodin e ri të Etikës të qeverisë së futbollit botëror, që përcakton normat e sjelljes së tyre, nuk do të gjejnë më fjalën “korrupsion”. Ata, madje, do të zbulojnë edhe sesi t’i shmangen dënimit për mitmarrje apo mitdhënie.
Korrupsioni është hequr si një kundërvajtje zyrtare gjatë takimeve sekrete, ku ekzekutivët vendosën riformatimin e parë të Kodit të Etikës, që pas valës së skandaleve që e lanë trupën qeverisëse të futbollit botëror “në vdekje klinike” prej vitit 2015.
Kjo ishte edhe hiperbola e përdorur nga Gianni Infantino gjatë një fjalimi në Kupën e Botës, në qershor, teksa mburrej për arritjet e tij të dukshme në “pastrimin” e FIFA-s. Por, përgjatë dy viteve si president i FIFA-s, Infantino është akuzuar për shkelje të rregullave të qeverisjes dhe largimin e zyrtarëve që kërcënonin pozicionin e tij. Tashmë do të jetë shumë më e lehtë për FIFA-n të dëbojë kritikët.
Në fakt, një shkelje e re është futur në Kodin e Etikës: shpifja! Ende nuk është dhënë ndonjë shembull specifik, duke i ofruar kështu fleksibilitet Komitetit të Etikës për të vendosur mbi barrën e provës, siç ndodh në të gjitha rastet.
“Personave të lidhur me këtë Kod u ndalohet të bëjnë deklarata publike apo me natyrë shpifëse drejt FIFA-s apo drejt një tjetër personi të lidhur gjithashtu me këtë Kod, në kontekstin e eventeve të organizuara nga FIFA”, theksohet në nenin 22.2 të Kodit të ri të Etikës.
Ata që kapen duke shpifur për FIFA-n do të përjashtohen nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin për një periudhë deri në dy vite, ndërkohë që do të ndëshkohen për 5 vite në raste përsëritjeje të rasteve serioze.
Paqartësia në këtë aspekt siguron liri veprimi për FIFA-n, përmes organeve teorikisht të pavarura të etikës, për të ndëshkuar kundërshtarët.
“Kjo do të shuajë kritikat e të gjitha llojeve, gjë për të cilën presupozohet se FIFA po punonte”, thotë ish-anëtarja e Komitetit të qeverisjes së FIFA-s, Alexandra Wrage, një eksperte për pajtueshmërinë antikorrupsion, në një deklaratë për “Associated Press”.
“Ndërkohë që organizatat e mirëqeverisura po inkurajojnë transparencën dhe po nxisin njerëzit të flasin hapur, nëse kanë ndonjë shqetësim, FIFA po ndërmerr një qëndrim autoritar, duke i dhënë mesazhin njerëzve të qëndrojnë të heshtur. Shpifja si shkelje kërkon një deklaratë false dhe FIFA-s i duhet ta provojë që një kritikë e caktuar ka qenë false, por rëndësi për FIFA-n ka efekti frikësues që do të ketë ndaj kritikëve”.
Kodi i Etikës u prezantua për herë të parë në vitin 2004, nga Sepp Blatter, për t’i dhënë një lustër ndershmërie një organizate të abuzuar për përfitime personale nga kaq shumë njerëz, në dekada të tëra. Sigurisht, Blatter u përjashtua nga presidenca e FIFA-s për shkelje financiare në vitin 2015 nga Komiteti i Etikës që vet ai e krijoi. Rrëzimi i Blatterit nga froni erdhi pas përplasjeve me prokurorët amerikanë, që dënuan dhjetëra zyrtarë dhe entitete futbolli për korrupsion, pikërisht shkelja që tashmë është fshirë nga FIFA, në dokumentet e parimeve të etikës në gjuhën angleze.
Ryshfeti është ende i ndaluar në Kodin e ri të Etikës, por aftësia për të hetuar këto raste është dobësuar.
Kodi i vitit 2012 thoshte se “hetimi për ryshfet dhe korrupsion” nuk ishte subjekt i një “periudhe të kufizuar”. Që do të thotë se, pavarësisht nga koha e gjatë që do t’u duhet prokurorëve të zbulojnë shkeljet, shkelësi padyshim që mund të ndëshkohet.
Por, neni 12.1 i Kodit të ri të Etikës thekson se “ryshfeti, shpërdorimi i fondeve dhe manipulimi i ndeshjeve të futbollit apo kompeticioneve nuk mund të ndiqet më penalisht pas një periudhe 10-vjeçare”.
Mesazhi që u jepet zyrtarëve të futbollit? Nuk ju pengojmë të kërkoni përfitime, përmes ryshfetit apo mashtrimit! Për sa kohë që shkelja nuk zbulohet për 10 vite, atëherë ju do të jeni të pastër për FIFA-n.
Ndërkohë, prokurorët e etikës do të kenë tashmë vetëm 5 vite për të mbyllur dosjet për shkelje të tjera të përgjithshme të kodit, gjysma e kohës së mëparshme që iu lejohej për të zbuluar keqbërjet.
Kodi i ri i Etikës i lejon gjithashtu kryeprokurores së Etikës, Maria Claudia Rojas, të arrijë ujdi për pranim fajësie, për zgjidhjen e çështjeve që nuk përfshijnë ryshfetin, shpërdorimin e fondeve apo trukimin e ndeshjeve. Një zhvillim ky që ngre një re të madhe zymtësie e fshehtësie, duke i mbajtur rastet të fshehura nga vëmendja publike.
“FIFA e re është demokraci dhe jo diktaturë”, do të thoshte Infantino përpara anëtarëve të organizmit, gjatë një fjalimi në vitin 2017. “Është një organizatë transparente, një organizatë thellësisht e ndershme”.
Por, ai kërkoi qartësi për ndryshimet në Kodin e Etikës, që ndihmuan në dëbimin e një grushti zyrtarësh të paskrupujt, ndërkohë që ka pak vullnet për transparencë.
FIFA u gjend e papërgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve, pas rishikimit të Kodit të Ri nga “AP” përpara implementimit. Trupa me seli në Zyrih njoftoi se, ndryshimet ishin të bazuara në propozimet e Komitetit të Etikës, prej të cilëve tifozët e futbollit shumë pak njohin e dëgjojnë.
Gjatë viteve të para të tyre në poste, krerët e Dhomave të Hetimit dhe Rregullimit të Komiteteve të Etikës nuk janë lejuar të flasin për mediet, pikërisht nga vet FIFA.
Pas rishikimit të Kodit të Etikës, të miratuar në privatësi nga Këshilli i FIFA-s, vendosmëria e futbollit për të përjashtuar shkelësit duket ende e paqartë. Veçanërisht kur vet fjala “korrupsion” është zhdukur prej tij.