Ryshfet për të kaluar kufirin pa test negativ për koronavirus?!


Në pikën kufitare në Tabanoc dyshohet për korrupsion. Katër shtetas të cilët po ktheheshin nga Italia thonë se kanë paguar 600 euro për të hyrë në vend, pa e treguar testin negativ të koronavirusit. Alsat mëson se rasti është zbuluar rastësisht nga policët rajonal të Shtipit. Gjatë kontrollit rutinë policët kanë ndaluar makinën me 4 personat dhe kanë konstatuar se kanë bërë shkelje gjatë hyrjes në kufi. Nga MPB konfirmojnë rastin, por thonë se me detaje do të dalin pas mbarimit të hetimeve.

Ministria e Punëve të Brendshme:

“Është duke u zhvilluar kontroll i brendshëm në pikën kufitare në Tabanoc për zbardhjen e plotë të rastit. Kemi nisur me procedurën e masave disiplinore, por në rast të konstatimit të shkeljeve eventuale përveç përjashtimit nga puna do të pasojnë edhe procedurat tjera penale”

Sipas burimeve tona, i gjithë ndërrimi është suspenduar përkohësisht nga puna. Shefja e ndërrimit S.M. dhe kujdestarë policë S.T., M.T., F.I., M.P., E.F., O.P., si dhe D.S. Për këtë të fundit ekziston dyshimi se iu kanë gjetur para gjatë kontrollit të brendshëm mëngjesin e djeshëm në kufi.  Autoritetet thonë se 4 personat nga Shtipi janë dërguar në karantinë shtetërore dhe ndaj tyre përveç testeve për CoVid-19, do të pasojnë edhe kallëzimet penale në Prokurorinë Publike.