Rustemi: Ndërtojmë pjesën e rrugës së Arbërit, lidhim Kërçovën me Dibrën dhe Republikën e Shqipërisë

Kryeministri Talat Xhaferi dhe drejtori i NP Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi sot kanë inspektuar punimet që zhvillohen për ndërtimin e pjesës së rrugës së Arbërit, përkatësisht, të rrugës rajonale Izvor – Ura e Garës që do të lidh komunën e Kërçovës me atë të Dibrës dhe Republikën e Shqipërisë.

“Projekti parasheh ndërtimin e 19 kilometrave rrugë, që është në gjerësi prej 6 metra.

Aktualisht punohet në tërë aksin rrugor, në disa pjesë bëhet tamponimi, në disa vende ndërtohen mure mbajtëse të betonit, punohet në shpate, ndërsa në pjesën më të lartë të trasesë tashmë është shtruar dhe shtresa e parë e asfaltit” tha drejtori Rustemi. Sipas tij, ndërtimi i kësaj rruge është i një rëndësie të veçantë për këtë rajon. “Banorët do të përfitojnë lëvizje rrugore të sigurtë, lidhje më të mirë dhe ekonomi më të fortë.

Punimet ndërtimore duhet të përfundojnë deri në fund të këtij viti”, i shpreh drejtori Rustemi. Ai tha se në këtë pjesë të vendit investohet edhe në projekte tjera.

“Dua t’ju rikujtoj se NPRRSH gjatë kësaj periudhe ka punuar me një përkushtim të madh në realizimin e projekteve në këtë pjes ëtë vendit.
Kështu që tërësisht është rehabilituar rruga rajonale Hanët e Mavrovës – Zhirovnicë në gjatësi prej 18,5 km, investim me vlerë prej 6,2 milionë euro. Traseja në këtë segment në fakt është vazhdimi i segmentit të rehabilituar Bunec – Hanet e Mavrovës.

Në Programin vjetor të NPRRSH-së për vitin 2024 është planifikuar rikonstruimi i segmentit rrugor Nikiforov – Leunovë – Bunec, në gjatësi prej 10,4 km, me vlerë të paraparë prej 6,5 milionë euro.
Ndërtojmë gjithkund, ndërtojmë për të gjithë!” tha në fund të fjalës së tij drejtori Ejup Rustemi.