Gjëja e vetme që është e rëndësishme për mua në punën time është ajo se a është bërë vepër penale dhe a kam unë mjaftueshëm prova që të ngre aktakuzë. Deri më tani jam nisur nga këto parime dhe sigurisht se deri në fund të karrierës do të vazhdoj kështu, deklaroi prokurorja Villma Ruskovska, pas seancës së sotme gjyqësore për lëndën “Aleanca Ndërkombëtare” në të cilën mbrojtja kërkoi përjashtimin e saj.
Ruskovska, theksoi se vetëm pak e ka parë kërkesën me shkrim të dorëzuar në PTHP për përjashtimin e saj.
“Atë që arrita ta shoh absolutisht nuk mban, gjegjësisht nuk është bazë për përjashtimin tim. Por, megjithatë e lë që për këtë të vendosë prokurori publik i Republikës së Maqedonisë. Mund të deklaroj se në gjithë karrierën time asnjëherë nuk jam sjellë njëanshëm për asnjë lëndë, ndërsa kam punuar ndoshta në më shumë se mijëra lëndë dhe asnjëherë nuk do të lejoj emocione ose diçka tjetër të ndikojë gjatë veprimeve në lëndë”, deklaroi Ruskovska.
E pyetur për pritjet e saj nga ky proces gjyqësor, Ruskovska, tha se si prokurore pret që të dëshmojë se të akuzuarit janë fajtorë.
“Pres që të dëshmoj se të akuzuarit i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen”, deklaroi Ruskovska.
Sa i përket ligjit të ri për PP-në dhe a pret që ish prokurorët e PSP-së të jenë pjesë e prokurorisë së saj, Ruskovska tha se ka konkurs të brendshëm dhe secili që i përmbush kushtet e përcaktuara mund të konkurrojë.
“Shihni, ka konkurs, ai është konkurs i brendshëm sepse që të anëtar, gjegjësisht prokuror në PTHP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të përmbushësh disa kushte. Secili që i përmbush kushtet mund të konkurrojë, ndërsa se kush do të zgjidhet për këtë vendosi Këshilli”, theksoi Ruskovska.