Rusino rrezikon të mbyllet, kjo është arsyeja

Për shkak të mos pagesës së obligimeve nga komuna e Gostivarit, Zhelinës, e Jegunocit, Ndërmarrja e përbashkët e Pollogut, që menaxhon me deponinë rajonale Rusino, vazhdon të punojë me humbje. Drejtuesi i Ndërmarrjes thotë se për funksionimin normal nevojiten të paktën 25 mijë euro.

“Situata e pagesës së subvencioneve nga komunat është e njëjtë, sikurse në bisedën e fundit që e bëmë. Pra ende mungojnë disa nga komunat që nuk kanë bë pagesën shkaku i bllokimit të xhirollogarive, obligimeve të tyre”, pohoi Besim Dogani, drejtor i Ndërmarrjes “Rusino Pollog”.

Krerët e Gostivarit dhe Zhelinës thanë se pjesën më të madhe të borxhit e kanë shlyer.

“Një pjesë të pagesës besoj që do e bëjmë brenda kësaj jave, një pjesë edhe pse jo shumë e lartë por është bërë”, theksoi Arben Taravari, Kryetar i Komunës së Gostivarit.

“Ne e kemi detyrim atë sepse jemi vetë pjesë e vendimit të sjellë bashkë në drejtim të funksionimit të Rusinos. Një pjesë e kemi paguar, mendoj se është paguar pjesa më e madhe”, u shpreh Blerim Sejdiu, Kryetar i komunës së Zhelinës.

Kreu i Gostivarit Taravari kërkon lehtësime pasi Ndërmarrja “Rusino-Pollog” ndodhet në territorin e komunës së Gostivarit.

“Kërkuam që Gostivari të subvencionohet si komunë sepse deponia është e vendosur në komunën e Gostivarit, dhe tash në mbledhjen që kemi në datë 26 shpresoj që kjo të pranohet nga gjitha komunat”, tha Arben Taravari, Kryetar i komunës së Gostivarit.

Përgjigje negative për këtë kërkesë, Taravari mori nga kreu i regjionit planor të Pollogut Bilall Kasami. Ai tha se po shqyrtojnë e mundësisë për pagesën e qirasë për Gostivarn për shfrytëzimin e tokës.

“Ajo për të cilën kemi folur jo formalisht edhe me drejtorinë për rajonin zhvillimor të Pollogut është të shohim mundësinë ligjore që komuna e Gostivarit, ngase deponia është në territorin e saj, në njëfarë forme t`i paguajmë qira për hapësirën që shfrytëzojmë por jo të ketë beneficione sa i përket çmimit”, tha Bilall Kasami, kryetar i Regjionit Planor për zhvillimin e Pollogut.

Ndërmarrjet publike të nëntë komunave të Pollogut për hedhjen e mbeturinave në Rusino duhet të paguajnë nga 2,5 euro për ton mbetjesh./ Alsat.mk