Rusia thotë se nuk po ndërhyn në politikat e brendshme të Maqedonisë


Ambasada ruse në Shkup ka mohuar pretendimet për përfshirjen e Moskës në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Akuzat janë bërë nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili u shpreh se Moska po prodhon kërcënimet hibride më serioze në Ballkan dhe shtoi se ka informacione se Rusia po i përdor protestat në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për qëllimet e veta.

“Ne hedhim poshtë akuzat e bëra ndaj vendit tonë. Rusia nuk ka ndërhyrë, nuk po ndërhyn dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë vendi, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e politikës së jashtme ruse”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.

“Ne respektojmë çdo zgjedhje të popullit maqedonas dhe jemi të përgatitur të vazhdojmë ta ndërtojmë bashkëpunimin tonë mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe barazisë”, thuhet në deklaratë.