Rusia reagon ndaj Haradinajt për bashkimin kombëtar: Bëhet fjalë për një provokim të radhës


Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për idenë e tij të dhënë së fundmi për “Shqipërinë e Madhe”. Haradinaj kishte deklaruar ditë më parë se nëse Serbia dëshiron të shmangë një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, atëherë Serbia duhet ta njoh shtetin e Kosovës.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë Referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ambasada Ruse në Shqipëri këto deklarata i ka quajtur si provokim dhe shantazh politik të Haradinajt.

“Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës. Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan”, ka shkruar Ambasada në një reagim në Facebook.

Ky reagim vjen në një kohë ku Shqipëria shpalli ‘non grata’ diplomatin Alexez Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID. Këtë dëbim Rusia e ka cilësuar si një provokim nga ana e Shqipërisë dhe sipas tyre nuk do lihet pa përgjigje reciproke.

Një tjetër ‘përplasje’ mes Tiranës dhe Moskës ishte për vaksinat anti-COVID, ku kryeministri Edi Rama e quajti të papërshtatshëm dhe provokim reagimin e Ambasadës rusë në vendin tonë për vaksinën Sputnik V që mund t’i ofrohej vendit tonë.

Kujtojmë se më 19 janar lidhur me deklaratën e Ramush Haradinjat ka reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se një bashkim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë është një kërcënim jo vetëm për Serbinë, por edhe për rajonin, Evropën dhe të gjithë botën.