Shefja e diplomacisë e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ka akuzuar Rusinë se po përdor veton e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) si “dritë jeshile për barbarizmin” në Ukrainë.
Truss komentoi këtë në parlament kur një deputet pyeti nëse Rusia duhet të mbetet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Këshilli i Sigurimit ka një rol për të luajtur, pasi nën presidencën tonë, ne e kemi përdorur atë për të tërhequr vëmendjen ndaj gënjeshtrave të Rusisë. Ne po ashtu kemi pritur adresimin e presidentit Zelenskyy. Por ne kemi shqetësime për një arkitekturë të sigurisë ndërkombëtare që ka Rusinë si një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe ata kanë përdorur veton e tyre si dritë jeshile për barbarizmin”, tha Truss.
Siç theksoi ajo, një pjesë e përgjigjes së tyre për këtë çështje ka qenë “puna më e ngushtë me aleatë si nga G7-ta dhe NATO, sepse ne thjesht nuk kemi parë mjaftueshëm që po ndodhë në nivel të OKB-së”.
Britania dhe Rusia, së bashku me SHBA-në, Francën dhe Kinën, përbëjnë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, respektivisht secili prej pesë anëtarëve ka të drejtën e vetos.