Rusia me vaksinë të dyshimtë anti-Covid: Serbia e pranon për ta provuar

Serbia planifikon të fillojë testimin laboratorik të vaksinës “Sputnik V” të Rusisë kundër koronavirusit, shkruan Reuters. Rusia do të dorëzojë 20 doza të vaksinës së saj në Serbi për prova laboratorike deri në fund të javës, tha zyra e kryeministres, Ana Brnabic në një deklaratë pasi foli përmes videokonferencës me ministrin e tregtisë dhe industrisë ruse Denis Manturov.

Rusia ka thënë se rezultatet e provave të ndërmjetme tregojnë se vaksina e saj është 92% efektive në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19. Megjithatë, ekspertë të pavarur thanë se njohuritë rreth modelit dhe protokollit të testimit ishin të pakta, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë interpretimin e të dhënave të publikuara.

Edhe më herët, ka pasur mjaft skepticizëm për vaksinën ruse, ndërsa pati pretendime se shkencëtarët nuk ndoqën mënyrën e duhur të testeve klinike. Para se Serbia të miratojë ndonjë vaksinë, ajo duhet të miratohet nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të vendit.

Deri më tani 175,438 njerëz janë sëmurë me COVID-19 në Serbi, e cila ka një popullsi prej 7,2 milion banorë, dhe 1,604 kanë vdekur prej saj.