Rusia i jep tani ultimatum Serbisë: Me ne ose me Perëndimin

Disa media ruse kanë shkruar se Beogradi i ka dërguar porosi të qartë Moskës se nuk varet vetëm nga armatimi rus, madje shkruajnë se ka zhgënjim tek rusët pas porosisë së sistemeve të mbrojtjes ajrore kineze FK-3. Mediat ruse e kanë ndjekur ngjarjen dhe debatin për synimin e Beogradit të blejë armatim prej Kinës dhe disa prej tyre ka shprehur hapur zhgënjimin e tyre.

Në disa media ruse ka tituj e përfundime se “Serbia zgjodhi FK-3 në vend të S-300 rus”.
Mediat ruse shkruajnë se në qershor të 2020, agjencia shtetërore e lajmeve ruse TASS, duke u thirrur në burime ushtarake-diplomatike, ka njoftuar se Rusia i ka dërguar Serbisë aplikacionin e porosisë së kompleksit 300PMU-2 për vitin 2021. Megjithëse Beogradi zyrtar nuk e kishte konfirmuar këtë informacion, disa media ruse e konsiderojnë se kjo është e saktë.

Në lidhje me vendimin e Serbisë për blerjen e sistemit kinez FK-3, për mediat ruse është prononcuar edhe drejtori i Qendrës për Analiza të Strategjive dhe Teknologjive, Ruslan Pukhov. Ai beson që Kina t’i ketë ofruar Serbisë kushte me të volitshme për blerjen e sistemit kinez, pasi që sistemi rus S-400 nuk është sistem i lirë dhe e vë në dyshim sistemin kinez i cili është kopje e sistemit rus S-300. Pukhov e vë në pyetje edhe sinqeritetin e udhëheqësve serbë, ai thotë se gjendja shpirtërore e elitës politike serbe është shumë kontradiktore. Një pjesë e elitës serbe e sheh të ardhmen e Serbisë me Perëndimin.

Për fund ai e kritikon Serbinë dhe thotë se duhet të përcaktohet, pra të rreshtohet me Perëndimin ose Rusinë. “Nëse donë që të shkojë ka perëndimi, atëherë duhet të armatosen me armatime me standard të NATO-së, ndërsa nëse donë të ketë raporte me Rusinë atëherë duhet të blejë pajisje ushtarake nga Rusia”, thotë Pukhov.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, kishte deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se Serbia kishte hequr dorë nga porosia e sisteme S300 e S400, pas shumë spekulimeve në media ruse e serbe, të nxitura nga deklarata e zyrtarëve në të cilat aludonin se një sistem i tillë mund të jetë subjekt i marrëveshjes mes dy shteteve. Portali i njohur rus Lenta.ru shkruan se depërtimi i sistemit FK-3 në tregun serb është e çmuar për Kinën, pasi sisteme të tilla të mbrojtjes kundërajrore Kina kishte arritur t’i pajiste vetëm aleatët aziatik të Pekinit.