Një numër i mediave online në gjuhën shqipe kanë rënë pre e kësaj. Së fundmi, një shkrim që rusët i ndërlidhin me forcat e armatosura amerikane dhe coronavirusin ka qarkulluar në internet.
“Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe Ballkan” ka qenë titulli që ka shqetësuar qytetarët.
Megjithatë, siç deklarojnë ekspertët, një gjë e tillë është propagandë e Rusisë.
“Është një kaos i vërtetë i shkaktuar nga dezinformatat që ndërlidhen me dislokimin e forcave të armatosura. Që nga dita e djeshme kam ngritur shqetësim që mediat tona mos të bien pre e këtyre lajmeve. Fillimisht lajmi është maskuar kinse me shqetësimin e dislokimit të 30 mije trupave pa maska. Për të vazhduar më pastaj dhe me video të mëhershme kinse nga vendi i ngjarjes. Tani së fundmi, kemi lajmin e rremë të dislokimit të forcave të armatosura ruse dhe gjermane. Të gjitha këto me qëllime jo të mira. Krijimin e panikut”, ka thënë eksperti i sigurisë kibernetike Mentor Hoxhaj.
Ai ka shtuar se burimi i shumicës së tyre po vjen nga mediat ruse, veçanërisht “Russia Today” ose RT.
Këta janë linkat e propagandës së Rusisë.
Madje, Instituti Rus për Studime të Strategjike-RISS, e ka konfirmuar me analistët e tij këtë. Ky është linku: https://en.riss.ru/media/22538/.
“Mediat tona, pjesa dërrmuese e tyre, kanë postuar lajme pa iu referuar burimit. Por kemi hasur në foto dhe video ku shihet logo e RT. Në mënyrë të vazhduar jemi duke njoftuar shfrytëzuesit e rrjeteve sociale për këto lajme të rreme. Njëkohësisht, për mediat që janë të qasshme jemi duke bashkëpunuar që të mos bien pre e këtyre lajmeve”, ka thënë ai.
Rusia, dikur ka manipuluar me ndjenjat e njerëzve në mbarë botën edhe me virusin HIV, i njohur si SIDA, për të cilin kishte thënë se është “formësuar në laboratorët e CIA-s”.
Një dokumentar për ta argumentuar këtë është bërë edhe nga “New York Times”
(https://www.youtube.com/watch?v=tR_6dibpDfo), i cili është edhe në You Tube.
Atëbotë, rusët, kishin gjetur një media lokale indiane për ta dhënë lajmin e parë, se gjoja HIV ishte bërë nga CIA, ndërsa vetëm pas pak vitesh, lajmin e kishin marrë si të tillë shumica e shteteve duke llogaritur këtu edhe vetë amerikanët.