Rusia: Brenda 10 gushtit kemi gati vaksinën kundër Covid-19

Rusia synon të bëhet vendi i parë në botë që miraton përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit, në më pak se dy javë, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë dhe efektivitetin e saj, raporton CNN.

Një zyrtar rus i ka thënë CNN se po punojnë për miratimin e vaksinës në 10 gusht ose edhe më parë, krijuar nga Instituti Gameleya me seli në Moskë. 

Të parët që do ta marrin vaksinën janë punonjësit e shëndetësisë. 

“Është një moment i ngjashëm me Sputnikun”, tha Kirill Dimitriev, kreu i Fondit të Shëndetësisë në Rusi, që ka financuar kërkimet për vaksinë në Rusi, duke iu referuar daljes në hapësirë të satelitit të parë në kohën e Bashkimit Sovjetik në vitin 1957. 

“Amerikanët u befasuan kur dëgjuan sinjalin e Sputnikut. Njëlloj do të ndodhë edhe me vaksinën. Rusia do të ketë arritur e para ta bëjë”.

Megjithatë, Rusia nuk ka publikuar asnjë të dhënë shkencore për vaksinën dhe CNN nuk ka mundur të verifikojë pretendimet e autoriteteve ruse për efektivitetin dhe sigurinë e saj. Kritikët në vend thonë se ky nxitim vjen nga dëshira e Kremlinit për të shfaqur vendin si një vend lider në shkencë. 

Gjithashtu ka shqetësimin se testimet e vaksinës te njerëzit nuk janë bërë të plota.

Në të gjithë botën po zhvillohen dhjetëra testime për vaksina të ndryshme, por shumica e tyre këmbëngulin se ka ende punë për të bërë para se një vaksinë e saktë të miratohet për përdorim të gjerë.