Rruga dhe kanalizimi për Debreshin, premtim i parealizuar

“Edhe pse u premtua se gjatë kësaj vere do të realizohet projekti i kanalizimit dhe asfaltimi i rrugës këtu në fshatin Debresh të komunës së Gostivarit, megjithatë, tashmë vera po kalon, dhe kjo rrugë po vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje, me gropa, pa asfalt dhe me shumë pa pastërti siç është lagështia kur ka të reshura të shiut, por edhe pluhuri gjatë ditëve të nxehta”.

Banorët ankohen se, përveç që shkatërrojnë makinat e tyre nëpër këto rrugë me gropa të mëdha, kanë problem edhe me papastërtinë, ndërsa fëmijët, detyrohen t’i mbajnë mbyllur që të mos dalin në pluhur dhe baltë.

“Kjo rrugë u bë tetë apo më tepër muaj kështu. Kur filluan ta bëjnë kanalizimin gjoja se, dhe që e lanë në gjysmë dhe këtë e bënë katastrofë edhe pse edhe ashtu ishte e dëmtuar por tashmë është bë katastrofë. U mbytëm duke ndërruar gomat e makinave. 75 euro një gomë është. Nga kryqëzimi deri këtu katastrofë është për një muaj dy herë kam ndërruar gomat. Nga komuna nuk thonë se nuk e bëjnë, do e bëjmë thonë këtë javë atë javë dhe asgjë”, u shpreh një banor.

“Nga mëngjesi në mbrëmje këtë rrugë e kemi pengesë, na kanë shkatërruar me këtë rrugë. Ja pyetni komshiun si jemi, katastrofë është. Thanë se do bëjnë kanalizimin pastaj rruga por ja rruga askund mbeti, vetëm sa e lëvruan këtë dhe e lanë kështu”, tha një tjetër banor.

U drejtuam edhe në Ndërmarrjen publike komunale të Gostivarit për të pyetur se, përse deri më tani, nuk është realizuar asfaltimi i premtuar i rrugës, por, pa përgjigje. Kërkuan nga Ekipi i televizionit Alsat, që të drejtohemi me shkrim me premtimin se brenda ditës do të kthejnë përgjigje, por as këto përgjigje me shkrim nuk u kthyen. Ndryshe, kanalizimi prej rreth një kilometër i fshatit Debresh të komunës së Gostivarit, ka filluar të bëhet që në fushatën e zgjedhjeve të fundit komunale, prej kur edhe ka mbetur në këtë gjendje, duke mos u kujdesur as për sigurinë e fëmijëve që jetojnë në këtë fshat, afër shtëpive të të cilës rrugë, ka gropa edhe një metër të thella./Alsat.mk