Rrjedhin informacione për trajtimin e ujgurëve në Kinë

Rrjedhja e një databaze ka ofruar të dhëna se si autoritetet kineze kanë vendosur për fatin e qindra mijëra myslimanëve në kampet e internimit, kanë raportuar, transmetuesi britanik, BBC dhe agjencia e lajmeve, AP. Në dokumente shpërfaqen profilet e 311 individëve nga provinca Ksinjang, duke përfshirë të kaluarën e tyre.

Të dhënat, po ashtu ofrojnë informacione për më shumë se 2,000 familjarë, fqinj dhe shokë të tyre. Adrian Zenz, pjesëtar i Fondacionit për Përkujtim të Viktimave të Komunizmit në Uashington, ka thënë se “ky dokument përbën të dhënat më të fuqishme”, që ka parë ndonjëherë, i cili tregon se Pekini “është duke ndëshkuar praktikat normale të besimeve tradicionale”.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar më 2019 se rreth 1 milion ujgurë etknikë në Ksinjang janë duke u mbajtur në ato që Pekini i konsideron “qendra kundërterrorizmit”. Kombet e Bashkuara po ashtu kanë thënë se miliona njerëz janë detyruar të bëhen pjesë e këtyre kampeve në Kinë.

Kina i përshkruan këto hapësira si “qendra edukative” me qëllim të pastrimit të njerëzve nga terrorizmi dhe për t’i lejuar ata që sërish të jenë pjesë e shoqërisë.