Rritje e vogël e numrit të nxënësve shqiptarë, bie i atyre maqedonas

Sa i përket numrit të nxënëseve sipas gjuhës që ndjekin mësimin në shkollat fillore, ngritje të numrit kanë vetëm shkollat shqipe dhe ato turke. Ndërsa rënie të numrit të nxënëseve kanë shkollat në gjuhën maqedonase, serbe dhe boshnjake.

Publikimet e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), tregojnë se dallimi i numrit të nxënëseve në shkollat fillore sipas rajoneve planifikuese – është i madh. Sipas statistikave, në fillim të vitit shkollor 2020/2021, rajoni i Shkupit është ndër rajonet me më shumë nxënës në shkolla fillore me mesatarisht nga 420 nxënës në çdo shkollë fillore i ndjekur nga rajoni i Pollogut ku shkollat fillore kanë mesatarisht nga 194 nxënës në çdo shkollë fillore.

Ndërsa rajoni me më së paku nxënës është rajoni i Pellagonisë, në të cilën në çdo shkollë kemi mesatarisht nga 119 nxënës. Ndërkohë sa i përket raportit nxënës – mësimdhënës në shkollat fillore, përsëri rajoni me dallimin më të madh është ai i Shkupit. Në këtë rajon, për çdo mësues kemi nga 14 nxënës, ndërsa rajoni juglindor dhe ai lindor janë rajonet me dallimin me të vogël ku për 8 nxënës kemi një mësues.

Nga ana tjetër, sa i përket numrit të nxënëseve sipas gjuhës që ndjekin mësimin në shkollat fillore, ngritje të numrit kanë vetëm shkollat shqipe dhe ato turke. Ndërsa rënie të numrit të nxënëseve kanë shkollat në gjuhën maqedonase, serbe dhe boshnjake. Të dhënat tregojnë se në vitin shkollor 2015/2016, numri i nxënëseve që kanë ndjekur mësimin në shkollat fillore në gjuhën maqedonase ka qenë 119.550 nxënës. Ndërsa në vitin shkollor 2019/2020 numri i nxënëseve që ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase në shkollat fillore ka rënë në 118.170 nxënës.

Sa i përket numrit të nxënëseve të cilët ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në arsimin fillor, në vitin shkollor 2015/2016 ka qenë 59.437 nxënës në krahasim me vitin shkollor 2019/2020 ku shkollat në gjuhën shqipe kanë rritje për afër një mijë nxënës dhe kanë regjistruar gjithsej 60.473 nxënës. E njëjta situatë është edhe me shkollat turke kur brenda pesë viteve – kanë shënuar rritje të nxënëseve. Në vitin 2015/2016, shkollat në gjuhën turke kishin 5.591 nxënës dhe në vitin 2019/2020 regjistruar 6.754 nxënës.

Në të gjithë vendin ka rënë numri i nxënëseve, të cilët kanë mbaruar shkollimin e mesëm. Nga 22.000 nxënës që kishin mbaruar shkollimin e mesëm në vitin shkollor 2015/2016, ky numwr ka rënë në 16.000 nxënës në vitin shkollor 2019/2020. Përkundër faktit se numri i nxënëseve është duke rënë, në rritje të vazhdueshme është numri i mësimdhënëseve si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme. Në vitin 2015/2016, në shkollat fillore kishte gjithsej 17.791 mësimdhënës, ndërsa në vitin shkollor 2019/2020 numri i mësimdhënëse është rritur në 18.704. E njëjta situatë është edhe me mësimdhënësit në shkollat e mesme nga 7.289 sa kishte në vitin shkollor 2015/2016 numri i tyre është rritur për afër 200 mësimdhënës në vitin shkollor 2019/2020.