Rritje e pensioneve në Maqedoni: Në shtator do të riten për 2500 denarë, gjithashtu në mars për 2500 denarë

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se rritja e parë lineare e pensioneve do të jetë me pensionin e shtatorit, kur ato do të rriten për 2,500 denarë. Rritja e dytë lineare do të jetë në mars me 2,500 denarë të tjera.

Mickoski thotë se aktualisht në Buxhet nuk ka para për rritjen e pensioneve, por me rishikimin e buxhetit që po punojnë me ministren e financave dhe që pritet të jetë në mes të korrikut, do të sigurohen para për rritjen lineare të pensioneve.

Rritja e parë e pensioneve, siç thotë Mickoski, do të jetë me nivelimin në shtator, dhe e dyta në mars.

“Në buxhetin e miratuar për këtë vit mungojnë rreth 2.5 miliardë denarë. Me shumë gjasa do të kemi dy rritje lineare, kjo do të konfirmohet gjatë ditës së nesërme ose të pasnesërme. Do të kemi dy, një me nivelimin tani në shtator, rritje lineare në shtator për 2,500 denarë dhe tjetra do të jetë në mars me 2,500 denarë të tjera,” tha Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit të një shkolle në lagjen Draçevo të Shkupit.

Sipas Mickoskit, fillimisht do të duhet të sigurohen fondet me rishikimin dhe ato 2.5 miliardë denarë, që janë rreth 40 milionë euro për pensionet aktuale.

“Në këtë buxhet ato para mungojnë, janë shpenzuar për gjëra për të cilat mendoj se organet hetimore do të merren shumë në periudhën që vjen. Janë përgatitur edhe 2.5 miliardë denarë të tjera për këtë rritje fillestare që do të jetë në shtator për këto tre muaj, përkatësisht shtator, tetor dhe nëntor sepse pensionet do të paguhen në tetor, nëntor dhe dhjetor. Pjesa tjetër do të jetë për vitin e ardhshëm me nivelimin në mars,” shtoi Mickoski.

Me këtë, tha Mickoski, praktikisht premtimi ynë për rritjen lineare të pensioneve prej 5,000 denarësh në vitin e parë do të përmbushet më herët, jo deri në qershor, por deri në mars të vitit të ardhshëm.