Rritja e pensioneve në Maqedoninë e Veriut: “Mund të blejmë 15 bukë më shumë”

“Me rritjen e pensionit do të blejmë deri 15 bukë më shumë në muaj”, thotë Nikolla, një pensionist nga Shkupi duke shprehur pakënaqësinë me nivelin e rritjes së pensionit që ka marrë në muajin prill.

Bazuar në metodologjinë e re për rritjen e pensioneve, dy herë në vit, në mars dhe në shtator, mbi 337 mijë pensionistë të Maqedonisë së Veriut, në prill kanë marrë pensionet me një rritje prej 5.3 për qind të vlerës aktuale, apo 10 deri në 65 euro, varësisht shumës së pensioneve që u takon.

Pjesa më e madhe, apo 40 për qind e pensionistëve që marrin pensione nga 12.500 deri në 16.000 mijë denarë (200 – 250 euro), në llogaritë e tyre kanë hyrë deri në 10 euro më shumë.

“Rritje të pensionimit këtë muaj kemi prej 500 deri 600 denarë [8-10 euro]. Me këtë rritje mund të blejmë 10-15 bukë, varësisht se çfarë lloji konsumojmë. Kjo më shumë është një rritje provokuese sesa një ndihmë për zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike, në veçanti për ne pensionistët. Çmimet aq shumë janë rritur saqë ne nuk po mund ta sigurojmë as bukën”, thotë pensionisti Nikolla.

“Kjo rritje nuk është asgjë, thjesht është sikur një pikë ujë në det. Kjo është tallje me pensionistët, të cilët kanë punuar një jetë të tërë dhe në fund kanë përfunduar si raste sociale, të mos mund të bëjnë një jetë sado normale. Ata janë kategoria më e rrezikuar. Me pensionet që marrim nuk mund të sigurojmë as ilaçet dhe bukën e gojës”, thotë Veselin Ristevski, pensionist.

Pensionistët e grupit më të lartë, të cilët marrin pensione mbi 54 mijë denarë, apo rreth 900 euro, kanë marrë rritje prej gati 3.000 denarësh apo rreth 50 euro.

Për ta tejkaluar hendekun mes pensioneve më të larta dhe atyre më të ulëta, pensionistët kërkojnë që të rikthehet rritja lineare, pra të gjitha pensionet të rriten me të njëjtën masë.

“Duke marrë parasysh shtrenjtimet, kjo rritje është shumë e ulët. Rritja e pensioneve duhet të bëhet në bazë lineare, të ketë një rritje të njëjtë për të gjithë, jo me përqindje. Ata që kanë pensione të larta, kanë rritje më të madhe dhe ne që jemi me pensione minimale, kemi rritje qesharake. Prandaj kërkojmë rritje lineare, apo rritje të përnjëhershme prej së paku 5.000 denarësh [80 euro] për të gjithë pensionistët”, thotë Dragi Stojkov, pensionist.

Rritje lineare kërkojnë edhe pensionistë të tjerë, të cilët mendojnë se do të ishte mënyra më e mirë për zbutjen e gjendjes ekonomike të kësaj kategorie të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Për rritjen e pensioneve duhet të bëhen ndryshime ligjore me qëllim që të ketë një harmonizim të pensioneve. Kështu mund të realizohet kërkesa për rritjen lineare. Me ligjin aktual rritja e pensioneve bëhet vetëm me përqindje”, thotë një pensionist.
Kërkesa për rritje lineare të pensioneve për rreth 80 euro është mbështetur nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, e cila bëri të ditur se pas zgjedhjeve më 8 maj, në rast të ndërrimit të pushtetit, kjo kërkesë do të realizohet, ashtu siç kishte rritje të tilla edhe para vitit 2017 kur kjo parti qeveriste me Maqedoninë e Veriut.

“Rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarësh do të ketë jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm. E kaluara ekonomike ka dëshmuar se për të qenë relativisht të kënaqur pensionistët, pensioni mesatar duhet të jetë rreth 60 për qind e pagës mesatare”, thonë nga VMRO DPMNE-ja.

Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut në muajin janar ishte 39.500 denarë (645 euro) dhe me propozimin e VMRO-së, pensioni më i vogël do të ishte 385 euro.

Por, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi, ka deklaruar se me një rritje të tillë, apo rritje lineare prej 5.000 denarësh, deficiti në Fondin Pensional do të arrinte në 52 për qind, që, sipas tij, do të nënkuptonte se pensionistët do të mbeten pa pension brenda pak viteve.

“Në thelb, mendoj se duan të na kthejnë atje ku ishim, në pasiguri me pagesën e pensioneve pasi për tre vjet, pensionistët nuk do të kishin pensione”, ka thënë Bytyçi.

Nga Qeveria vlerësojnë se formula e tanishme për rritjen e pensioneve në përqindje, dy herë në vit bazuar në rritjen e pagës mesatare, është zgjidhja më e mirë, që garanton stabilitet të Fondit Pensional, por edhe rritje të pensioneve./REL