Rritet tregtia online, rriten edhe ankesat

Shitjet online së fundmi po njohin përhapje të madhe. Me zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin sa më të madh të rrjeteve sociale, bizneset po shesin më shumë online, megjithëse jo në formë të organizuar. Si aktorët e tregut, edhe operatorët postarë, raportojnë rritje të volumit të dërgesave. Informaliteti dhe përdorimi i lartë i cash-it në ekonomi megjithatë vijojnë të mbeten problem. Tregu i shitjeve online në vendin tonë po vijon zgjerimin e veçanërisht pas kohës së virusit korona kur numri më i madh i qytetareve, u mbyllen në shtëpi dhe frika për të dalë nga shtëpia apo për të përdorur para në dorë, ishte prezent gati te secili qytetarë.

Sipas raportimeve, grupmosha që përdorë më së shumti blerjet online janë klientët nga 17-35 vjeç. Së dyti, me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e përdorimit të telefonave të mençur, konsumatorët janë të prirë gjithnjë e më shumë drejt blerjeve online. Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM), kanë deklaruar se virusi korona ndikoi në ndryshimin e zakoneve të qytetareve.

“Pra, pandemia me virusin korona dhe masat e marra nga Qeveria për ta parandaluar shpërndarjen e virusit korona, orientoi qytetarët me blerjet në internet, gjë që ka përparësitë e saj: kursen kohë, para dhe zvogëlon komunikimin. Sidoqoftë, ka përvoja negative që na paraqiten përmes ankesave në organizatën tonë. Sipas një sondazhi që kemi kryer në raport me këtë temë, 55 për qind e qytetarëve kanë qenë të vendosur për të blerë online, ndërsa 45 për qind ende nuk i besojnë blerjeve në internet”, thonë në OKM. Sipas tyre, numri më i madh i konsumatorëve përmes internetit kanë blerë më së shpeshti produkte të tekstilit dhe pajisje të ndryshme kompjuterike.

“60 për qind e konsumatorëve të anketuar kanë thënë se kanë pasur probleme gjatë blerjes së internetit, ndërsa 40 për qind prej tyre thanë se nuk kishin probleme gjatë blerjes në internet. Prej tyre, 26 për qind kishin hasur probleme në cilësinë joadekuate të produktit, 16 për qind e tyre morën produktin jashtë afatit të përcaktuar në kontratën me shitësin, 14 për qind të konsumatorëve nuk kishin mundësi për ta kthyer produktin dhe 13 për qind e konsumatorëve nuk e morën fare produktin e blerë”.

Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë ju bëjnë thirrje qytetareve që në rast se bien prej e mashtrimeve gjatë blerjeve në internet, apo nuk janë të kënaqur nga cilësia e produktit, të de*noncojnë rastet deri te OKM. Ndryshe, vlen të thuhet se edhe për shkak pandemisë me virusit korona dhe krizës – qarkullimi i kompanive që merren me shitje online apo të marketingut digjital është rritur ndjeshëm, si rrjedhojë e lulëzimit të aktivitetit në internet. Të ardhurat e kompanive u zgjeruan dhe si rrjedhojë – rritën dhe numrin e të punësuarve.

Gara mes shitjeve online megjithatë është një garë që po thellohet dita ditës. Statistikat në të gjithë botën po tregojnë sesi shitjet online po revolucionarizojnë tregun, kursejnë kohën dhe ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për përdoruesit e saj. Mesatarja e të anketuarve në Bashkimin Evropian, që kanë deklaruar se kanë kryer blerje online – është 67 për qind. Vendet e Bashkimit Evropian me përqindjen më të lartë të blerjeve online janë Suedia me 85 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 84 për qind, Danimarka dhe Holanda me 83 për qind, Finlanda me 76 për qind. Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian që shënuan përqindjen më të ulët të të anketuarve që deklaruan se kanë kryer blerje online, janë Kroacia me 33 për qind, Rumania dhe Portugalia me 36 për qind dhe Greqia me 37 për qind.