Rritet numri i të infektuarve me Covid-19 në Maqedoni – 116 raste brenda një jave

Nga 29 korrik deri më 4 gusht në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar 342 mostra për Covid-19 dhe janë regjistruar 116 raste të reja pozitive, konfirmojnë për “Sloboden Peçat” nga Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në Institut. Krahasuar me javën e kaluar, janë kryer 30 përqind më shumë testime dhe numri i rezultateve pozitive është rritur me 48,7 përqind, pra nga 78 është rritur në 116 rezultate pozitive.

Përqindja e pozitivitetit varion nga 17,6 përqind deri në 43,8 përqind, me një mesatare prej 32,3 përqind. Janë regjistruar raste të të infektuarve në komunat e 7 qyteteve. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi ku ka 61 të infektuar, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Kavadar dhe është 58,2 në 100 mijë banorë.

Janë regjistruar të infektuar në të gjitha grupmoshat, me numrin më të madh të rasteve të raportuara në grupmoshën mbi 60 vjeç, pra 32 persona. Statusin e të shëruarit e kanë marrë 77 persona. Nuk janë raportuar raste të vdekjeve.

Rekomandohet ndjekja e masave themelore për parandalimin e Covid-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive respiratore, dhe në rast të shfaqjes së simptomave, konsultimi me mjekun e familjes ose infektologun për diagnostikim dhe trajtim të sëmundjes, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.