Rritet numri i të infekruarve me CoVid-19, shokon në….

Shënohet numri më i madh i të infektuarve me CoVid-19 në bazë ditore që nga fillimi i pandemisë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 107 raste të reja dhe 1 viktimë.

Numri më i madh i të infektuarve është në Kumanovë ku janë evidentuar 44 raste, më pas vjen Shkupi me 28, Prilep 11 raste, Manastir 6, në Tetovë 5, në Veles 4, në Gostivar 2 dhe nga 1 raste në Shtip, Strugë, Kavadar, Koçan dhe Kërçovë. Pas disa ditëve që kur numri i të infektuarve kishte stagnuar, në Dibër janë regjistruar edhe dy raste të reja. Në mesin e 107 të infektuarve është edhe një pjesëtar i njësitit elitar të policisë “Tigrat”. Numri total i të infektuarve arrin në 1081, ndërsa i viktimave në 46.

Deri tani janë bërë gjithsej 10422 teste në 6 qendra testimi. Në nivel qytetesh, numri më i madh i të infektuarve vazhdon të jetë në Shkup (367), Kumanovë (306), Prilep (100), Dibër (51), në Strugë (50), Tetovë (48) në Veles (40), Shtip (32), në Koçan (26) ndërsa qytetet tjera kanë nën 15 të infektuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 23 pacientë. Bilanci i të shëruarve shkon në 121.

Ndërkohë, lidhur me shkeljen e masave, në 24 orët të fundit 56 persona nuk e kanë respektuar orën policore, 35 prej të cilëve janë arrestuar ndërsa ndaj dy personave janë zbatuar vërejtje paralajmëruese. Nëpunësit policorë kanë zbatuar 2.854 kontrolle në adresat ku ka të regjistruar persona në vetëizolim dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje. 307 persona janë futur në izolim, ndërsa 188 kanë në vetëizolim. Numri më i madh i tyre është nga rajoni i Pollogut. Në karantinë shtetërore janë sistemuar 14 qytetarë.