Rritet numri i qytetarëve që sigurojnë ushqimin në kuzhinat humanitare

Për çdo ditë, kështu siç e patë, rreth 400 familje në ditë, këtu në qytetin e Gostivarit, marrin shujtën, ushqimin e ditës, nga kjo kuzhinë popullore që shihni pas meje. Kuzhina, nuk është komerciale, ushqimin e marrin falas, ndërsa për furnizimin e kësaj kuzhine, kujdesen mërgimtarët, banorët e Gostivarit, por edhe firma të ndryshme, që duan të bëjnë mirë për ata që kanë nevojë për një shujtë në ditë.

Nikollçe është njëri ndër personat që merr ushqim nga kuzhina. Ai jeton vetëm me të ëmën e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Për shkak se jetojnë pa të ardhura, ushqimin çdo ditë e sigurojnë nga kjo kuzhinë.

“Çdo ditë marrim bukën këtu, çdo ditë. Shumë ushqim të mirë na japin, edhe nëse ndonjë ditë nuk vij ditën tjetër gjithsesi. Sepse jetoj me nënën time, e cila është e sëmurë, ka kancer në mushkëri, jetoj me qira. Do ju kisha lutur të vini ta filmoni ta shihni. Ka një vit e tepër që marr ushqim këtu, pa para gjithçka e kemi. Këtu nuk bëjnë dallim, a je i varfër a je shqiptar apo maqedonas, të gjithëve na japin bukë”, tha Nikollçe Millosheviq.

Banorët e Gostivarit, e përshëndesin këtë nismë humanitare. Madje porosisin që kuzhina të këtilla të bëhen në çdo qytet, me qëllim ushqimin e atyre që kanë nevojë.

“Jam shumë i kënaqur, Zoti i shpërbleftë. Rregullisht marr ushqim, ka një vit e ca që e marr ushqimin pa pagesë. Është një gjë shumë e mirë për ne skamnorët. Ndihma është e mirëseardhur sepse gjendjen sociale ekonomike e kemi të keqe”, tha një banor.

“Ndihmojnë, kjo është shumë e mirë. Në mënyrë humanitare e bëjnë . kush do jep donim për skamnor nevojtarë. Gostivarasit gjithnjë janë të gatshëm për të donuar për të ndihmuar me gjeste të këtilla humane. Punë e mirë është kjo të ndihmohemi njëri me tjetrin, është për tu përshëndetur”, u shpreh një banor tjetër.

“Mirë është shumë kjo, japin ndihma ushqim sepse ka shumë njerëz që nuk kanë asgjë. Kemi dhënë ca herë ndihmë edhe neve kur kemi pasur. Duhet të vazhdojë kjo punë”, theksoi një banor. Kuzhina Deva në Gostivar funksionon tash e ca vite për furnizimin me ushqim të banorëve të cilët janë në nevojë. Ndërsa për ata që janë të moshuar dhe me sëmundje të ndryshme, ushqimin ua dërgojnë aty ku banojnë./Alsat.mk