Rritet edhe kostoja e banimit me qira


Trendin e shtrenjtimit të shitblerjes së banesave po e përcjell edhe shtrenjtimi i qirave. Kjo sidomos është e theksuar me fillimin e vitit të ri shkollor dhe akademik. Nga Grupacioni i patundshmërive pranë Odës ekonomike thonë se çmimet po rriten, por jo edhe në mënyrë drastike duke marrë parasysh edhe fuqinë ekonomike jo të volitshme të popullatës.

Nga atje shtojnë qytetarët e vendit janë më shumë të interesuar për marrje me qira të banesave, ndërsa vërehet interesim më i dobët i të huajve. Njëherësh interesim më i madh për qiramarrje shprehet për lokacionet që janë në afërsi të institucioneve arsimore apo që janë në afërsi të linjave të autobusit për nxënësit dhe studentët.

“Në fund të muajit qershor të këtij viti në komunën Qendër paguhet nga 303 denarë për një metër katror të hapësirës banesore që paraqet një rritje të madhe në raport me 184 denarë të paguara në vitin 2019 . në Karposh çmimet janë rritur për tre vite nga 218 në 263 denarë , në Aerodrom nga 184 në 241 denarë , dhe në Gjorçe Petrov janë dyfishuar çmimet nga 97 në 192 denarë ”, tregojnë të dhënat e Kadastrës.

Në Komunën e Çairit në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shënuar çmimi prej 174 denarë për një metër katror të banesës së dhënë me qira. Njëherësh, në vitin e kaluar janë shënuar 2303 transaksione të qiramarrjes së banesave në Maqedoni dhe 1102 qiramarrje të shtëpive, tregojnë të dhënat e Kadastrës.

Kostoja e lartë e banimit nuk anashkalon as shtetet e tjera të rajonit dhe ato të Evropës, ku për të jetuar me qira në Tiranë duhet të paguash më shumë. Apartamentet këtë verë janë rritur deri në 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Bile sipas ekspertëve, se të shtrenjta janë edhe banesat në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë që dikur kushtonin më lirë. Shtrenjtimet e qirave nga ana tjetër po shënohen edhe në Evropë. Të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat tregojnë se qytetarët e Bashkimit Evropian duhet të ndajnë më shumë të holla për banesat që nuk janë në pronësi të tyre.

“Qiratë dhe çmimet e banesave në BE vazhduan rritjen e vazhdueshme në tremujorin e dytë të vitit 2022, duke u rritur me 1.7 për qind dhe 9.9 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të 2021”, tregon raporti i qirave dhe çmimet e banesave i publikuar nga Eurostat. Për më tepër, raporti i fundit i statistikave evropiane, bën të ditur se qiratë janë rritur me 18 për qind me rritjen e fundit të çmimeve, ndërsa çmimet e banesave janë rritur me 48 për qind në krahasim me vitin 2010.

Vlerësohet se shtrenjtimi i jetesës në çdo sferë po ndikon edhe në shtrenjtimin e qirave, por edhe banesave. Në Zvicër kanë paralajmëruar se nga viti i ardhshëm do të shtrenjtohen qiratë si rrjedhojë e shtrenjtimit të rrymës. Një pjesë e qiradhënësve në Zvicër tashmë po propozojnë që qiramarrësit e tyre t’u paguajnë 100 franga zvicerane shtesë në pritje të rritjes së mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike, bëjnë të ditur mediat zvicerane. Qiramarrësve iu është propozuar që të paguajnë 50 franga shtesë për apartamentet me dy dhoma dhe nga 80 deri në 200 franga për apartamentet me pesë dhoma, në mënyrë që të “shmangen surprizat e pakëndshme”, raportojnë mediat. Agjentët imobiliar thonë se rritja e çmimit të qirasë do të prekë veçanërisht qiramarrësit e ndërtesave që ngrohen me mazut dhe gaz ose që nuk kanë izolim adekuat. Pritet që në Zvicër vitin e ardhshëm të rritet çmimi i energjisë elektrike për 30 për qind. (koha.mk)