Rritet çmimi i vajit në Maqedoninë e Veriut, paralajmërohet edhe rritja e çmimeve të tjera

Kriza ekonomike dhe çmimet e larta për ushqim dhe derivate të naftës janë arsyeja kryesore për grevat në Maqedoni. Vaji i ushqimit po blihet shumë nëpër markete, ndërsa çmimi për litër tashmë është 120 denarë.
Prodhuesit e vajit shprehen se vaj ka edhe për këtë muaj, ndërsa nëse nuk fillon importi i paralajmëruar nga Serbia, do të blihet nga Bullgaria me çmime më të larta. Prodhuesit nga Maqedonia për Kanal 5 theksojnë se çmimi i vajit do të vazhdojë të rritet, ndërsa nuk dihet nëse qeveria do t’i aktivizojë rezervat.

“Mallrat i kemi ka fundi, kemi edhe për këtë muaj dhe presim të fillojë dërgesa nga Serbia. Kemi bisedime edhe me furnizues nga Bullgaria, por çmimet atje janë më të larta”, u shpreh Kosta Tashkov nga Briliant. Në ndërkohë çmimi rritet, por rriten edhe shpenzimet për jetë. Nga janari deri tani, për vetëm 3 muaj, shporta minimale e shpenzimeve është rritur për 1.000 denarë, ndërsa sipas sindikatave, për një familje 4 anëtarëshe, shporta minimale është 36.780 denarë në muaj.