Rriten rastet me COVID-19 në RMV, pak interesim për vaksinim

Gjatë dy javëve të fundit në Maqedoninë e Veriut është shënuar rritje e numrit të të infektuarve me COVID-19.

Javën që po lëmë pas, përkatësisht nga e hëna deri të premten është rritur për 79.9 për qind numri i rasteve aktive me COVID-19. Në baza ditore gjatë tërë javës janë regjistruar rreth 500 raste të reja me koronavirus.

Nga Klinika e Infektologjisë në Shkup për Radion Evropa e Lirë thonë se për fat të mirë pacientët e infektuar së fundmi janë me një fotografi më të lehtë klinike.

“Edhe pse është në rritje numri i të infektuarve, na gëzon fakti që nuk kemi raste me komplikime dhe kjo nuk e ka rritur numrin e pacientëve të hospitalizuar. Infeksioni shfaqet me formë më të lehtë”, thotë Fadil Cana, mjek në Klinikën e Infektologjisë në Shkup.

Çfarë dihet për versionin “tinëzar” të Omicronit?
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të prekura me koronavirus, Komisioni për sëmundje ngjitëse në mbledhjen e së premtes nuk ka marrë vendim për shtrëngimin e masave për frenimin e përhapjes së infektimeve.

Zllate Memedoviq, nga Komisioni për sëmundje ngjitëse u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm duke i respektuar masat që akoma janë në fuqi, si mënyra e vetme për të ndalur hovin në rritje të të infektuarve.

“U bëj thirrje qytetarëve se është e patjetërsueshme të mbahet maskë në transportin urban, institucionet shëndetësore, barnatoret dhe shtëpitë për kujdesin e të moshuarve. Këto masa tërë kohën kanë qenë në fuqi”.

“Tani në mënyrë plotësuese rekomandojmë që të mbahen maska në hapësirat e mbyllura me ajër të kondicionuar, pasi gjasat për infektim në këto ambiente janë më të mëdha për shkak të mosqarkullimit të ajrit. Njëkohësisht rekomandojmë që të ruhet distanca si dhe të bëhet dezinfektimi i vazhdueshëm i duarve, veçanërisht gjatë qëndrimit në vendet publike”, ka thënë Mehmedoviq.

Sillvana Mirkoska, e cila është përgjegjëse në pikën për vaksinim në poliklinikën Bukuresht të Shkupit, thotë se kryesisht për t’u vaksinuar vijnë personat mbi 60 vjeç. Ajo shton se numri i atyre që vijnë për të marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 është shumë i ulët, një ose dy persona në ditë.

“Rreth 100 deri 120 pacientë brenda ditës vijnë për t’u vaksinuar, kryesisht mbi moshën 60-vjeçare, të cilët marrin dozën e tretë apo të katërt. Vetëm 10 deri në 15 marrin dozën e dytë. Ndërkohë, që një ose e shumta dy qytetarë vaksinohen me dozën e parë kundër koronavirusit”, thotë Mirkovska duke theksuar se ka mjaftueshëm vaksina.

Në bazë të të dhënave të dikasterit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, me dozën e tretë janë vaksinuar 9 për qind e popullsisë.

Autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar që distanca kohore mes dozës së parë dhe asaj të tretë të jetë katër muaj.

Vaksinimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka filluar më 17 shkurt. Deri më tani të paktën me një dozë janë vaksinuar më shumë se 875 mijë qytetarë, ndërsa me dy doza janë vaksinuar mbi 856 mijë qytetarë.

Në Maqedoninë e Veriut 47.6 për qind e popullsisë është e vaksinuar me dy dozat kundër koronavirusit.

Më shumë interesim për dozën e katërt sesa për të parën
Gjatë javës së kaluar janë vaksinuar 1.003 qytetarë, prej të cilëve 26 me dozën e parë, 27 me dozën e dytë, 147 me dozën e tretë dhe 799 me dozën e katërt kundër koronavirusit.

Sillvana Mirkoska thotë se me dozën e katërt kryesisht vaksinohen qytetarët mbi moshën 60- vjeçare që vuajnë nga sëmundjet kronike.

“Tani dhe rekomandimet janë që pacientët me sëmundje kronike të jenë të imunizuar. Më të moshuarit kanë shumë më shumë interes për vaksina. Përderisa të rinjtë, ata që ishin kundër vaksinove, edhe më tej mbeten në këtë qëndrim”, thekson ajo.

Doza e katërt zhvillohet me vaksinën Pfizer ose Moderna.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë kryer gjithsej 2.094.710 testime për COVID-19.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 në vend që nga fillimi i epidemisë është 317.634, numri i të shëruarve është 305.988, ndërsa numri i të vdekurve është 9.337.