Rriten pagat e mjekëve


Nga shtatori që vjen rreth 20,000 të punësuarve në sektorin e Shëndetësisë do t’u rriten pagat me 5%, njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Për këtë rritje prej 5% janë siguruar 469 milion për tërë vitin. Kjo rritje e pagave nuk do t’i përfshijë mjekët amë. Filipçe tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me punonjësit e Shëndetësisë primare dhe se për rritjen e pagave të tyre do të vendosin gjatë periudhës që vjen, njofton Alsat M.

Do të rritet rroga bazë për llogaritjen e rrogës për të punësuarit nëpër Institucionet publike shëndetësore nga 12,654 denarë në 13,286 denarë, që është rritje prej 5%. Përllogariten edhe shuma e kujdestarisë gjatë natës, kështu që kjo është 5% e rritjes së shumës bazë tek të gjithë të punësuarit në shëndetësinë publike. Është shumë e vështirë të thuhet për dikënd i cili tani ka rrogë 30.000 denarë sa do ta ketë pas kësaj rritje- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

VMRO-DPMNE-ja opozitare kritikoi se me këtë rritje, Qeveria nuk do të arrijë asnjëherë të përmbushë premtimin që deri në 2020 pagat e mjekëve të arrijnë deri në 100,000 denarë.

Sot u vërtetua utopia se prej kur të vijnë në Qeveri, gjashtë muajt e parë do t’i rrisin rrogat e të gjithë punonjësve shëndetësor për 15%. LSDM-ja dhe Zaevi premtuan se rroga minimale e mjekëve dhe specialistëve deri në vitin 2020 do të bëhet më shumë se 100.000 denarë. Me këtë tempo të rritjes së rrogave, vështirë se ndonjë specialist do ta shohë këtë rrogë ndërkaq mjekët dhe punonjësit e tjerë vetëm do të vazhdojnë të ikin nga vendi. LSDM-ja poashtu iu premtoi edhe mjekëve amë rritje të kontributit për 99 denarë për pacient dhe kjo nuk ndodhi- tha Igor Nikolov, VMRO-DPMNE.

Për Sindikatin e Qendrës Klinike kjo rritje e rrogave për 5% është e papranueshme derisa është e vetmja rritje deri në fund të këtij viti. Ata kërkojnë që deri në fund të 201tës të ketë rritje shtesë të përqindjes së rrogave që të përmbushen premtimet e Qeverisë.

Sindikata e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” Shkup

“Që të realizohet programi i Qeverisë 2017-2020 për rritje të dyfishtë të rrogave të të gjithë punonjësve shëndetësor dhe rrogave të mjekëve specialist në shëndetësinë terciare e cila mbërrin deri në 100,000 denarë apo 1,600 euro deri në vitin 2020, atëherë gjatë dy viteve të ardhshme paga e një mjeku specialist nga mjekësia terciare do të duhej të rritet për 146% dhe e infermierëve për 91%. Me këtë dinamikë mbetet e paqartë si do të realizohet programi i qeverisë”.

E pazgjidhur mbetete ende pagesa e rreth 100 specializantëve privat të cilët ende nuk kanë filluar të marrin kompensim. Ministri deklaroi se për shkak të disa pengesave administrative, pagesa e kontributit të tyre ka mbetur e parealizuar, duke shtuar se në momentin kur do të tejkalohen këta pengesa teknike atëherë atyre do të ju lëshohen mjetet e pa paguara që nga muaji maj./Pacensure