Rriten çmimet në treg, bie puna e shitësve në Bit Pazar

Rritja e çmimeve në treg ka ndikuar që të ulet puna nëpër tregje. TVM2 vizitoi tregun e Bit Pazarit në Shkup, ku frekuentimi i qytetarëve ishte i ulët. Blerësit që takuam në treg u ankuan për çmime të larta, në krahasim me standardin jetësor.

“Tregu të thuash që është i lirë, nuk është. Por tash shtrenjtësia për secilin nuk është njejtë. Dikush ka mundësi të blej, dikush ska. Diferenë të madhe ka, çmimet janë rritur”
“Po, gjithsesi se ka shtrenjtim. Më parë ishte shumë më i lirë tregu”
“Shtrenjt janë. Kanë hyp çmimet” – thanë disa nga blerësit në Bit Pazar.

Shitësit nga ana tjetër thonë se rritja e çmimeve ka ndikuar skajshmërisht në punën e tyre. Shpenzimet janë të larta për ta, kurse malli nuk shitet për shkak të rritjes së çmimeve.
“Më shumë ka që shesin se sa blejnë. Shtrenjt, për së tepërmi është strenjtë. Prej në 20 kutia kam ra në 5 kutia. Nuk është njejtë 20 kutia me 5 kutia. Harxhimet e mëdha janë”

“Dobët është. Po sivjet është shumë më shtrenjtë” – thanë disa nga shitësit e intervistuar nga TVM2.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në periudhën janar-shtator të këtij viti, çmimet me pakicë janë rritur për 3.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, ndërkaq kostoja e jetesës është rritur për 2.8 për qind, duke paraqitur inflacion në këtë shkallë.