Rreziku i shkrirjes së shtresës së akullit që mban të palëvizshme akullnajën Thwaites

Një grup kërkimor britaniko-amerikan po studion rrezikun e shkrirjes së shtresës së akullit që mban të palëvizshme akullnajën Thwaites. Për shkak të ngrohjes, ky shelf akulli rrezikon që brenda pesë viteve të fillojë ta lëshojë akullnajën drejt oqeanit. Shkencëtarët thonë se kjo do të sillte pasoja serioze për rritjen e nivelit të deteve.

Akullnaja Thwaites, e ashtuquajtura akullnaja e katastrofës, është bërë objekt i shqyrtimit intensiv nga shkencëtarë nga mbarë bota.
Akullnaja ka përmasat e shtetit të Floridës dhe kontribuon për 4% të rritjes së nivelit të deteve.
Një takim i mbajtur rishtazi në Nju Orlins i Unionit Gjeofizik Amerikan tregoi se pse është shtuar rrezikshmëria e shembjes së akullnajës Thwaites.

Puna kërkimore u krye nga një grup shkencëtarësh britanikë dhe amerikanë që janë bërë pjesë e grupit Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Akullnajën Thwaites (ITGC), të financuar nga Fondacioni Kombëtar amerikan për Shkencën dhe nga Këshilli britanik për Studimet Natyrore Mjedisore.

Dr. Peter Davis, anëtar i shërbimit studimor britanik për Antarktikën, me seli në Kembrixh, shpjegon se si po dëmtohet shtresa që qarkon akullnajën Thwaites.
“Është pjesa ku akulli shkëputet dhe fillon të pluskojë për herë të parë. Aty po bëjmë shpime për të parë edhe se sa shpejt mund të tërhiqet shtresa e akullit dhe të rritet niveli i detit”, thotë Dr. Davis.
Në fund të oqeanit ka sasi të madhe uji të ngrohtë që shkakton këtë efekt.

“Oqeani është shumë i ngrohtë, rreth një gradë e gjysëm mbi pikën e atjeshme të ngrirjes. Nxehtësia gërryen bazamentin e akullit, fillon tërheqja e akullit dhe pasoja është shkëputja e akullit nga toka drejt oqeanit, duke ngritur nivelin e detit”, thotë ai.

Dr. Davis shpjegon se akulli është nën një presion aq të lartë sa mund të kriset i gjithi si një xham makine.
“Po dobësohet pasi po sulmohet nga të dyja krahët. Uji i ngrohtë futet nën të dhe e shkrin nga poshtë. Pjesa e malit nënujor që mban akullnajën të fiksuar po e humbet këtë aftësi. Krijohen fraktura edhe në sipërfaqe, pak a shumë si një krisje që fillon në xhamin e makinës dhe që zgjerohet me kalimin e kohës. Këto e dobësojnë strukturën me kalimin e kohës”, thotë ai.

Gjatë një konference në Shtetet e Bashkuara u vu në dukje se megjithëse procesi për çlirimin e akullnajës mund të dojë dekada, shkrirja e vetë shelfit të akullit, që e mban akullnajën në vend, mund të fillojë ta lëshojë atë edhe brenda pesë viteve.
“Shelfi i akullit bën punën më të madhe për ta ndaluar akullnajën Thwaite që të shkojë drejt oqeanit. Nëse e humbasim atë brenda pesë viteve, pasojat do të jenë shumë të rënda”, thotë Dr. Davis.

Megjithë përpjekjet për të vendosur nën kontroll çlirimin e gazit karbonik, që përshpejton ngrohjen globale, dr. Davis thotë se nuk ka gjasa që të ndalet procesi i shkrirjes së akullnajës Thwaites dhe se krahas rrezikut më të afërt, ekziston dhe mundësia e shtrirjes së efekteve negative për shekuj me radhë.

“Nëse akullnaja Thwaites do të shembej plotësisht, atëherë do të kishim rreth 60 cm rritje të deteve në mbarë planetin. Nëse kjo ndodh, mund të shoqërohet nga një shembje më e gjerë në shtresën e Antarktikës perëndimore që mund të sillte rritje të nivelit të detit me 2-3 metra. Këto janë sidoqoftë skenarët e rastit më të keq dhe periudha kohore për t’u realizuar shtrihet në qindra vite dhe ndoshta mijëra vite”, thotë Dr. Davis.
Ky është pra skenari më i keq i mundshëm. Sidoqoftë, shkencëtarët vazhdojnë të regjistrojnë të dhënat dhe të projektojnë modelet e ndryshme se çfarë mund të na sjellë e ardhmja.