Rrezikohen 29.000 të punësuar në sektorin e hotelerisë, kërkojnë ndihmë nga shteti

Shteti të tregojë se a parasheh mbështetje për sektorin e hotelerisë. Nëse jo, ata me kohë të kërkojnë ndihmë përmes masave të tjera, që të mos mbesin pa kurrfarë të ardhurash, bën thirrje sot Grupacioni për Hotelieri pranë Lidhjes së Odave Ekonomike.

Grupacioni paralajmëroi se hotelierët nuk munden vetëm ta përballojnë goditjen ekonomike nga virusi korona dhe se sipas të gjitha gjasave një pjesë e madhe e të punësuarve do të çregjistrohen dhe do të mbesin pa punë deri më 31 mars. Me këtë, drejtpërdrejtë do të vendoset në pikëpyetje ekzistenca e 29.000 personave aq sa janë të punësuar në këtë degë, ndërsa në mënyrë shtesë problemet do t’i ndjejnë edhe familjet e tyre.

Masat të cilat tashmë janë propozuar, nuk do t’iu ndihmojnë që t’i tejkalojnë problemet financiare, por edhe në mënyrë shtesë do t’i fusin në borxhe. Sipas Martin Angellovskit nga Grupacioni, pakoja e propozuar e masave do të hyjë në fuqi nga prilli, ndërsa hotelierët tashmë gjysmë muaji janë pa të ardhura.

Hotelierët propozojnë vendime konkrete: subvencionim të pagës minimale bruto për të punësuarit derisa zgjasin masat parandaluese, shtyrjen e pagesës së obligimeve tatimore dhe paradhënieve në gjashtë muajt e ardhshme, ngrirje dhe riprogramim të obligimeve për kredi dhe interes si dhe obligime të tjera drejtë bankave deri në përfundimi e krizës, të fillojë të funksionojë urgjent dhe pa vonesa hapja e linjave kredituese me interes të subvencionuar, të mos zbatohet Ligji për disiplinë financiare në tre deri pesë muajt e ardhshëm, të ketë shtyrje të të gjitha shpenzimeve deri në përfundimin e pandemisë, të mos ketë shkyçje për shkak të mospagesës së ujit, rrymës dhe shërbime të tjera themelore, si dhe të mos paguhet tatim personal dhe TVSH për qiratë.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme deri me 50 të punësuar, kompanitë familjare dhe sipërmarrësit janë më të goditurit nga gjendja e re e shkaktuar nga Kovid-19. Subjektet në hotelieri i vendosën çelësin derës pas dekretit të sjellë nga Qeveria për mbylljen si pasojë e rrezikut nga përhapja e infeksionit. Shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm, por nuk duhet të lejohet që të rrënohet kjo veprimtari dhe njerëzit e punësuar në këtë sektor në mes të një krize shëndetësore të mbesin pa kurrfarë të ardhurash që të ushqehen”, theksoi Angellovski.

Secila ditë që kalon, shtoi ai, është shpenzim të cilin hotelierët nuk mund ta lejojnë me burime të veta të financimit.

Ai përmendi edhe se të gjitha shoqatat hotelierike përgjatë qyteteve të vendit janë në pozicion të njëjtë. Krahas kërcënimit nga virusi korona, ata janë edhe nën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe në luftë për ruajtjen e vendeve të punës, si dhe të mos bien këto ndërmarrje të vogla.

Sipas tij tashmë 10 ditë po paralajmërohet mbështetje, por nuk ka asgjë konkrete, e as ku të paraqiten, e asi si të parashtrojnë aplikacione për ndihmë.