Rreth librarisë shqip në Shkup -të përbashkuar!

Rreth librarisë shqip në Shkup -të përbashkuar!

Shkupi ka shqiptarë. Shkupi ka njëqind rrugë, me emra të personaliteteve shqiptare. Shkupi ka sheshin Skenderbeu. Shkupi ka sheshin Nënë Tereza. Shkupi ka shkolla me emër shqip. Shkupi ka permendore të personaliteteve të shquara shqiptare. Shkupi ka teater shqiptar. Shkupi ka medie shqipe. Shkupi ka shkolla shqipe- nga çerdhet deri ne universitet. Shkupi ka intelektualë shqiptarë. Por, Shkupi nuk ka librari, me libra shqip.

Para gati një viti, në Shkup u hap një librari supermoderne me libër shqip. Mirëpo, fatkeqësisht kjo librari pati jetë të shkurtër, sepse pritet të mbyllet shpejt.

Libraria “Nobel”, dëshmoi se interesimi i shkupjanëve dhe i qytetarëve të Maqedonisë, është shumë i madh, për librin shqip. Përveç shqiptarëve, libraria u përkrah edhe prej autoriteteve shtetëroe, që dëshmohet me vizitën që i bëri ministrja e arsimit Irena Stefoska dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror.

Shkupi nuk bën pa librari shqipe. Prandaj, është koha, është momenti që autoritetet kulturore dhe institucionale shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të koordinohen dhe ta rihapin librarinë shqipe në Shkup. Për hapjen dhe pasurimin e kësaj librarie, me të gjitha llojet dhe zhanret e librit shqip, me autorë shqiptarë dhe të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe, duhet të angazhohen kryeministrat dhe liderët politikë Albin Kurti, Edi Rama, Ali Ahmeti, pastaj ministrat e arsimit dhe të kulturës të të dy vendeve, pastaj dy akademitë e shkencave dhe të arteve, Instituti Albanologjik i Prishtinës, institutet e historisë të Prishtinës dhe Tiranës, të gjitha universitetet në vendet shqiptare, të gjitha shtëpitë botuese në hapësirat shqiptare dhe veçmas dy biblotekat kombëtare, ajo Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Sigurisht, në këtë projekt duhet të angazhohen krijuesit shqiptarë të letërsisë, arteve, shkencës, publicistikës etj, nga e gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora.

Pernjëmend, për librarinë shqipe në Shkup, duhet të përbashkohemi të gjithë. Sepse, Shkupi nuk bën pa librarinë në gjuhën shqipe!