Rreth 500 të vrarë në Izrael dhe Gaza, ushtria izraelite nis sulmet në Liban

Avionët luftarakë izraelitë vazhduan të godasin Gazën të dielën në mëngjes, ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u kërkuan banorëve izraelitë që të evakuonin zonën gjatë natës. Në të njëjtën kohë, artileria po godet gjithashtu një zonë në Liban në përgjigje të “zjarrit” nga Libani në drejtim të Izraelit.

“IDF ka marrë masa përgatitore për këtë lloj mundësie dhe do të vazhdojë të operojë në të gjitha rajonet dhe në çdo kohë të nevojshme për të garantuar sigurinë e civilëve izraelitë”, thuhet në një deklaratë. Forcat izraelite goditën 426 objektiva në Gaza, përfshirë 10 kulla të përdorura nga Hamasi, tha zëdhënësi i IDF, Daniel Haggari.

Dhjetëra mijëra ushtarë izraelitë po operojnë në terren rreth Rripit të Gazës. Shifrat e fundit zyrtare thonë se të paktën 250 izraelitë dhe 230 palestinezë janë vrarë në sulme deri më tani, edhe pse ekspertët thonë se, ndërsa pluhuri ulet dhe konflikti po zhurmon, këto shifra mund të rriten në mënyrë dramatike.

Luftëtarët e grupit islamik palestinez Hamas bënë kërdi në disa qytete izraelite të shtunën, duke nisur një sulm në shkallë të gjerë në të cilin vranë më shumë se 250 izraelitë dhe rrëmbyen dhjetëra të tjerë, duke marrë pengje në Rripin e Gazës. Është përshkallëzimi më i keq i dhunës në Lindjen e Mesme që nga Lufta e Yom Kipur 50 vjet më parë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për “hakmarrje” për këtë “ditë të zezë” në historinë e shtetit hebre. “Hamasi ka nisur një luftë mizore dhe të egër. Ne do ta fitojmë këtë luftë, por çmimi është i padurueshëm”, theksoi ai. “Hamasi dëshiron të na vrasë të gjithëve. Është një armik që vret nënat dhe fëmijët në shtëpitë e tyre, në shtretërit e tyre. Një armik që rrëmben të moshuarit dhe fëmijët”, shtoi ai./abcnews.al