Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencë për shtyp njoftoi se deri në orën 12 ka të regjistruar 26 raste, prej të cilëve sot në mëngjes janë testuar 10, ndërkaq dy prej tyre janë pozitiv.
“Dy bashkëshortë kanë qenë jashtë vendit në Bullgari. Kanë qenë në mjekim shtëpiak dhe me vetëiniciativë kanë dërguar mostra në laboratori. 17 pacientë janë në Shkup në Klinikën Infektive dhe 9 në Dibër. Janë të gatshëm edhe kati i parë dhe i dyti i Klinikës Infektive në Shkup, pa dallim nëse është dhomë e thjeshtë ose kujdes intensiv”, tha Filipçe.
Ai tha se gjatë ditës kanë qenë të kontaktuar nga Ambasada e Kinës dhe se ekzistojnë gjasa që të merren donacione maska, doreza dhe aparate për frymëmarrje.
“Kam biseduar me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov që të rritet numri i autobusëve. Përndryshe, rreth 200 persona, të cilët janë shtetas tanë dhe kanë qenë në kufirin hungarezo serb do të vijnë në Deve Bair me transport të organizuar. Saktë e dimë se kur do të intervistohen dhe do të shkojnë në izolim grupor në kazermën Pepelishte, kur të sigurohen të gjitha kushtet”, tha Filipçe.
Sipas tij, pritet numri i të infektuar pritet të rritet. Dhe sipas vlerësimeve numri mundet të arrijë në 2 000 të infektuar.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe vazhdimisht apelon që të respektohen të gjitha masat e Qeverisë që sa më lehtë të përballemi me virusin.
Filipçe apeloi që të ketë vetëorganizim në markete me qëllim që të mos bëhen rrëmuja.
Apeli i ministrit erdhi pasi që në ditët e kaluara ka blerje masive nëpër markete, nga frika e harxhimit të produkteve.
Në takimin e sotëm të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me pronarët e marketeve, u tha se ushqim dhe produkte ushqimore ka edhe në markete, por edhe në magazinat e furnizuesve, qytetarët të mos bëjnë panik.
“Dua që si ministër i Ekonomisë t’i ftoj qytetarët që me arsyeshmëri të blejnë, a marketet të bëjnë plane që t’u dalin në ndihmë qytetarëve. Vend për panik nuk ka, mallra të domosdoshme ushqimore ka”, tha Bekteshi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë ka miratuar vendim për ngrirje të çmimeve për produktet: bukë, krip, vaj, qumësht dhe prodhime qumështore, vezë, miell, mish, pasta, barna dhe mjete dezinfektuese, përveç atyre që kanë dëshmi se janë rritur faturat e hyra.
Në seancën qeveritare u miratua edhe informata me të cilën u propozua ndalesa për eksportim të grurit dhe miellit nga gruri në të gjitha vendet për kohë të pacaktuar. Ministria e Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria Doganore duhet t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e domosdoshme me qëllim që të zbatohen këto masa.
Paraprakisht, Ministria e Shëndetësisë informoi se se pacientja e parë e infektuar me virusin korona, sot është lëshuar në mjekim shtëpiak, pasi që testimet kanë dalë negative.
“Ajo është testuar për të dytën herë pas diagnostifikimit të virusit, testet e saja janë negative ndaj virusit korona dhe ajo ndihet mirë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. /Portalb