Numri i rasteve aktive me Covid-19 në vendin tonë është 14.998, prej të cilëve, numri më i madh është regjistruar në Shkup, respektivisht 6025 raste aktive, Tetovë 1913, transmeton Alsat. Në Gostivar ka 1107 raste aktive me virusin korona, në Kumanovë 946, Strumicë 690, Kërçovë-612, Strugë-582, Ohër-510, Prilep-280, Dibër-239.
Sipas statistikave të publikuara dje nga ISHP, në vend janë regjistruar 722 raste të reja, 26 viktima dhe 574 pacientë të shëruar.
Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 178.879 raste, prej të cilëve 157.868 janë shëruar, kurse 6.013 kanë ndërruar jetë.
Autoritetet shëndetësore dje njoftuan se gjatë katër javëve të fundit në gjithë vendin me Covid-19 kanë vdekur 480 persona. Vdekshmëri më e lartë e pacientëve me është regjistruar në qytetet ku numri i të vaksinuarve është i ulët. 429 nga 480 të vdekurit kanë qenë të pa vaksinuar dhe me sëmundje të tjera shoqëruese. Të dhënat zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se Tetova dhe Gostivari gjatë valës së katërt kanë regjistruar numër më të madh të të vdekurve. Tetova 106 ndërsa në Gostivar 73 viktima.
“Tetova hyri në valën e katërt me vetëm 19% qytetarë të vaksinuar në korrik. Në këtë qytet kishte presion më të madh në spitale, numër më të madh të të shtruarve, të të infektuarve dhe viktimave. Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në Gostivar, ku po ashtu kishte numër më të ulët të të vaksinuarve. Në qytetet tjera, si Gjevgjelia, Kavadari, Resnja dhe Berova, ku vaksini është i kënaqshëm gjegjësisht mes 54-61% numri i të vdekurve është më i ulët, apo nga një viktimë në çdo qytet”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Analiza e autoriteteve shëndetësore tregon se edhe numri më i lartë i infektimeve ka qenë te personat e pa vaksinuar. Në periudhën nga 6 gushti deri më 2 shtator, 22,416 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me Covid19. Prej tyre 18% kanë qenë tërësisht të vaksinuar, gjegjësisht 4191 qytetarë. Gjatë 4 javëve të kaluara 18,225 qytetarë gjegjësisht 81% e rasteve pozitive kanë qenë ta pa vaksinuar.
Përqindja e personave të hospitalizuar të cilët nuk kanë qenë të vaksinuar është 87%, derisa vetëm 13% e të gjithë të hospitalizuarve momentalisht janë të vaksinuar me dy doza.
Të infektuarit dhe të vdekurit janë të vaksinuar me vaksinat të cilat janë në dispozicion tek ne por edhe me të tjera si Moderna dhe Xhonson, të cilat qytetarët i kanë marrë jashtë vendit. Numri i qytetarëve të vaksinuar me dy doza ka arritur në 555.322 persona.