Rreth 100 shtëpi të dëmtuara nga vërshimet në Kërçovë! Komisioni vlerëson dëmet në terren

Rreth 100 objekte janë prekur nga vërshimet e së hënës në Kërçovë. Vërshimet prekën më së shumti lagjen “Prilepska” që gjendet përskaj lumit të Zajazit. U prekën edhe disa lagje tjera. Nga komisioni për mbrojte dhe shpëtim në Komunën e Kërçovës kanë qëndruar në teren për të evidentuar dëmet, ndërsa thonë se nga rreth shtëpitë e dëmtuara janë pa izolim dhe të ndërtuara me material të dobët.

“Komisioni për vlerësimin dhe vërtetimin e lartësisë së dëmeve të krijuara nga rrethana natyrore dhe fatkeqësi të tjera në Komunën e Kërçovës, menjëherë pas vërshimeve doli në teren për ta konstatuar situatën faktike dhe në ditët në vijim t’i vizitojë të gjitha amvisërit dhe ta konstatojnë dëmin e krijuar. Pas vlerësimit të dëmeve, komisioni do të përpunojë një raport dhe do ta dorëzojnë në Këshillin e Komunës së Kërçovës për miratim. Raporti do t’i dorëzohet komisionit që e ka formuar Qeveria”, theksoi Igor Pejoski, kryetar i Komisionit për Mbrojte dhe Shpëtim.

Nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza në Kërçovë tregojnë se si gjithnjë në gjendje më të rëndë nga vërshimet është lagja “Prilepska”.
“Kemi pasur shumë thirrje nga shtëpi, nga filiali i inspektoratit për arsim dhe të gjitha shtëpitë për rreth. Nga “Prilepska” gjithashtu janë lajmëruar shumë qytetar të cilët jetojnë rreth lumit të Zajazit, që si çdo vit na bën probleme, ata banorë atje vërtetë po vuajnë në situatë të rëndë, aty së pari evakuuam banorët të cilët ishin në gjendje të rëndë ishin të përmbytur”, tha Suzana Tasevska, Qendra për Menaxhim me Kriza.

Të gjithë banorët të cilët u evakuuan në sallën sportive në “Ivanidoll” janë kthyer në shtëpitë e tyre. Lumi i Zajazit dhe Lumi Treska të cilët kalojnë rreth lagjeve dhe fshatrave të Kërçovës çdo herë gjatë vjeshtës dhe dimrit përbëjnë rrezik për banorët.