Rrëshqitjet e dheut trembin banorët e Xhermës së Tetovës, Qytetarët: Fshati boshatiset nga dita në ditë (VIDEO)

Fshati Xhermë i Malësisë së Tetovës për çdo vit është duke u përballur me rrëshqitje të dheut që rrezikon edhe banorët e këtij fshati.
Ditë më parë Komuna e Tetovës bashkë më pyjet e Maqedonisë premtuan mbjelljen e 30 mijë fidanëve të bagremit me qëllim që të shmangin rrëshqitjen e dheut.
“Nga pamjet që mund të shihen prapa meje mund të shihet se as mbjellja e bagremit nuk mund të zgjidhë këtë problem të këtyre banorëve”, potencon Senat Zylbehari.

Shtëpi të plasaritura dhe mure të rrënuara mund të shohësh në këtë fshat që ka detyruar shumicën e banorëve që të lënë shtëpitë dhe të vendosen në qytet apo edhe në fshatra të tjerë. Banorët thonë se në Xhermë tani për tani kanë ngelur vetëm 80 shtëpi ndërsa mbi 700 shtëpi të tjera janë boshatisur.

Duke folur për rrëshqitjen e dheut, kryetari i bashkësisë lokale të fshatit, Ruhan Adili, thotë se ka filluar nga viti 1968 por në 30 vitet e fundit intensiteti i rrëshqitjes në këtë vendbanim është shtuar. Ai u bën thirrje partive politike që të mos japin premtime boshe pasi që janë lodhur nga të njëjtat ndërsa fshati për çdo ditë është duke u boshatisur edhe më shumë.