Rrënqeth e ëma e Musaen Zenelit: Lava rrobat me gjak të tim biri, pa e ditur që ishin të tijat

Anila Zeneli, mamaja e 19-vjeçarit Musaen Zeneli, i cili mbeti i vrarë mesnatën e 28-qershorit pas një konflikti për shezlonge, mes pronarëve të dy lokaleve, ka treguar se si e mori vesh lajmin tragjik për vdekjen e të birit, i cili humbi jetën ditën e parë të punës.
Në një intervistë, ajo tha se nuk e dinte se djali i saj ishte vrarë në Velipojë pasi i kishin ngatërruar emrin nga Musaen Zeneli, siç e ka, por Myzerim.

Anila Zeneli, punonjëse në lavanderinë e spitalit, u shpreh se ka larë rrobat me gjak të të birit pa e ditur që ishin të tijat dhe ndërkohë ky i fundit po lahej në morg.
“Unë nuk e dija që fëmija im ishte vrarë në Velipojë. Djalin e çuan në morg, emrin nuk ia shkruan Musaen Zeneli, siç e ka, por Myzerim dhe kjo ngatërroi shumë njerëzit. Edhe njerëzit e mi nuk e dinin. Unë shkova në punë në gjashtë e gjysmë se punoj te lavanderia e spitalit.

Lava rrobat me gjak të djalit dhe nuk e dija që ishte fëmija im që po lahej në morg. Unë nëna e tij, atë mëngjes shkova në morg dhe nuk dija që djali im ishte aty. A ka më hall për nënën. Unë e mora vesh që ishte në morg, por më thanë: “Nuk është djali yt” sepse nuk donin të më çonin te morgu. Por zemra e nënës ndjen çdo gjë! M’u këput zemra, trupi e shpirti.”, thotë mes lotësh nëna e Musaenit.

Më tej ajo është shprehur se djali i saj ishte shumë i gëzuar që kishte gjetur punë, teksa shton se nuk e dinte se te cili lokal kishte filluar. Ajo thotë se në diplomim e veshi si dhëndër, sakaq shton se për Musaenin ishte dhe nënë dhe babë.
“Djali ishte shumë i gëzuar që gjeti punën. Unë si prind Velipojën e njoh shumë mirë, por nuk di se te cili lokal ka shkuar, por ishte shumë i gëzuar për punën. Bëri dhe diplomën dhe e vesha si dhëndër për mbrëmjen e maturës. Edhe shokët e klasës erdhën të tërë me lule, me karafila, sot kur futa djalin nën dhe. Më ka mbetur shumë në mendje gëzimi i djalit. Më dhemb shpirti.

Unë si nënë kam një dhimbje të dyfishtë, sepse për Musaenin isha dhe nënë dhe babë. Babai m’i la kur djali i madh ishte 12 vjeç dhe i vogli 7. Në 2009-ën u mbyt i babai i fëmijëve dhe në 2010-ën e gjetën. 4 muaj qëndroi trupi i tretur pa ditur se ku ishte. Mbas 4 muajve është gjetur i mbytur. As fëmijët, as unë nuk e dinin ku ishte.”