Rregulla të reja në aeroportet e Maqedonisë

Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit do të hapen sërish nga 1 korriku, ndërsa nga TAV Maqedoni thonë se do të ketë rregulla të reja gjatë udhëtimit, me qëllim parandalimin e coronavirusit.

Sekretari i përgjithshëm i TAV Maqedoni Alper Ersoj, tha se i kanë ndjekur përvojat nga aeroportet tjera botërore dhe do t’i zbatojnë praktikat më të mira, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ajo që është më e rëndësishme për udhëtarët – të arrijnë në aeroport tre orë para fluturimit, të mbajnë maskë para se të hyjnë në ndërtesën e aeroportit, të dezinfektojnë këpucët dhe duart gjatë hyrjes dhe vazhdimisht të mbajnë distancë fizike”, tha Ersoj.

Ai tha se gjatë ikjes (departures) nga Aeroporti i Shkupit, hyrja e vetme e hapur për udhëtarët do të jetë hyrja C, ndërsa gjatë hyrjes çdo udhëtarë do të duhet të mbajë maskë, ta tregojë biletën (të shtypur ose në telefon), ndërsa më pas do të duhet të kalojë për të dezinfektuar këpucët dhe duart.

“Gjatë dezinfektimit adekuat të këpucëve dhe duarve, të gjithë udhëtarëve gjatë hyrjes në terminal do t’u matet temperatura trupore, përmes kamerave termike, të cilat janë blerë nga ne, me qëllim që të parandalojmë hyrjen e virusit në aeroporte, gjatë largimit nga shteti. Pas skenimit me kamerë termike, nëse nuk kanë temperaturë të lartë, udhëtarët do të mund të vazhdojnë drejt sporteleve për regjistrim ose vetregjistrim. Ajo që është e rëndësishme për gjithë opinionin është të dijnë se në ndërtesën e aeroporteve do të mund të futen vetëm personat që udhëtojnë, jo edhe familjarët e tyre apo miqtë që i përcjellin ose presin”, tha Ersoj.

Ai gjithashtu shtoi se nuk do të lejohet ulja afër njëri-tjetrit në hapësirat për pritje në aeroport, gjatë shkuarjes (departures) dhe ardhjes (arrivals), ose tek daljet (gates), por udhëtarët do të duhet të mbajnë distancë fizike, ndërsa karriget do të jenë të shënuara.

Me qëllim që të shmanget turma në sportele për regjistrim, TAV Maqedoni i inkurajon udhëtarët që ta përdorin sa më shumë mundësinë për regjistrim online të udhëtarëve dhe valixheve, së paku 24 orë para kohës së fluturimit.

Gjatë daljes nga aeroporti, para hyrjes në korridor, urrës së udhëtarëve dhe më pas në aeroplan, udhëtarët do të duhet sërish t’i dezinfektojnë duart, ndërsa TAV Maqedoni do të vendosë dezinfektues adekuat.

Kurse në lidhje me orarin e fluturimeve, TAV Maqedoni i udhëzon udhëtarët të ndjekin web-faqet e të dy aeroporteve, ku do të publikohen oraret e fluturimeve.

Ndryshe, “Aeroporti ndërkombëtar” i Shkupit u mbyll më 19 mars, ndërsa ai i Ohrit më 16 mars, si masë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit./Telegrafi/