Rrëfimi tronditës i nënës nga Kosova, sulmi i forcave serbe i mori vajzën 10 muajshe


Farija e kujton thuajse përditë, momentin kur humbi vajzën e saj. Foshnja ishte vetëm 10 muajshe dhe në prill të vitit ’99, do të ishte viktimë në mesin e 11 të vrarëve në Popovë të Podujevës.

Dita kur oshëtiu qielli… rrëfimi i shqiptarit të Kosovës, që pa familjarët e vrarë nga sulmi serbëve. Farija rrëfeu për “Shqiptarët për Shqiptarët”, disa detaje me të vërtetë tragjike për të bijën.

“E pata pas fëmijën e parë. Kur gjuanin dikund, thoja ‘ku ku çika’… por ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Vajza u shpua në dy tre vende, në bark, në shpinë… Edhe zorrët përjashta ia qitën. Për mu më vështirë nuk ka patur. Një fëmijë të kesh, e të ta mbysin, ishte një masakër.”-tregoi nëna.

Farija kujton momentet kur e plagosur, doli nga shtëpia për t’u përballur me tmerrin e masakrës në Popovë, një sulm i forcave ajrore serbe kundër njerëzve të pafajshëm.
“Gjak ishte krejt oborri, të plagosurit duke bërtitur… unë vetë jam plagosur në këmbë, në dy vende. Burri ishte më keq. Dorën e kishte thuajse krejt të këputur, por e mbështeti afër trupit e iu shërua më vonë. Nuk e di sesa copa metali ka patur në kokë e mushkëri…”-tregoi Farija.

Në masakrën e 4 prillit, 6 nga 11 viktima ishin të familjes Maksuti. Mbi 10 familjarë të tjerë, përfshirë dhe fëmijë të mitur, mbetën të plagosur.