Rrëfimi i veteranes së UÇK’së që veshi uniformën në moshën 17-vjeçare

Ishte vetëm 17 vjeçare kur i ishte bashkuar lu*ftës së fundit në Kosovë. Atëherë kur nuk dinte se si do të mbaronte e sotmja dhe nuk e dinte nëse do ta niste të nesërmen.
Është kjo Mimoza Shala, nga qyteti i Gjakovës, e cila ishte pjesëmarrëse në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Dukagjinit.

Atë kohë ajo e kujton me plot dhimbje.
Ideja për t’iu bashkuar lu*ftës, në vitet 1998-99 erdhi nga një grup i vogël nxënësish, të cilët e kishin një qëllim: të ju dalin në ndihmë shokëve dhe çlirimin e vendit.
“Ende nuk i kisha mbushur 17 vjet. U mobilizuam bashkë me shokë e shoqe në gjimnaz. Pra organizimi ynë ishte në shkollë. Ishte fundit i vitit 1998 ku iu bashkuam UÇK-së. Veprimtaria ynë kryesisht ishte në Zonën Operative të Dukagjinit…Deri në çlirim kam qenë pjesë e Brigadës 137- Gjakova”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mimoza Shala.

Përveç vështirësive , ajo kujton momentin më të dhimbshëm, në kohën kur ajo ishte ushtare.
“Rasti i Yllka Domit dhe Kushtrim Hoxhës më kanë mbetur në mendje dhe asnjëherë nuk më largohen. Yllka Domi ra Çabrat. E kam kujtesë të freskët pasi ishim në gjeneratë dhe ndihesha e pafuqishme të bëjë diçka që ajo të jetojë. Ndërsa Kushtrimin e kujtoj nga malet te Reka e Keqe. Kur zgjohem në mëngjes e shoh që Kushtrimi kishte vdekur dhe vëllai i flinte te koka e tij ndërsa babai te këmbët. Mos të flasim për varrimin e tij, ku nuk kishim as mjete dhe varrin u detyruam ta hapim me thika e grushte”, tregon veterania.