Ministra, deputetë, këngëtarë, artistë, biznesmenë e qindra qytetarë trokasin në derën e saj për ta shikuar filxhanin e kafesë. Gruaja që pretendon se parashikon saktë të ardhmen e “hallexhinjve”, të cilët kërkojnë të dinë fatin e tyre, ndodhet në qendër të Prishtinës. Shikimi i filxhanit është një procedurë që zgjat deri në 30 minuta dhe kushton 10 euro. Mirëpo, gjatë seancës çmimi edhe mund të rritet, varësisht nga vendi ku jeton klienti.
Në kushte anonimiteti njëra prej fallxhoreve në Prishtinë, (emër i njohur për redaksinë), ka rrëfyer për Gazetën Express se me këtë zanat merret qe 20 vjet dhe sipas saj deri më tani askush nuk është ndarë i pakënaqur me punën që ka bërë. Thotë se ka shpëtuar disa njerëz prej vetëvrasjes, ka ndihmuar personat të arrijnë suksese në biznes, ka zbuluar sëmundjet e njerëzve, ka bashkuar çiftet dhe shumë të tjerë i ka larguar nga rrugët e këqija, si droga e prostitucioni.
“Qe 20 vjet merrna me këtë zanat, mu m’ka ardhë mu marrë se unë e kam pa edhe në ëndërr këtë punë, 10 vjet i kom pas kur m’ka ardhë kjo, po tani unë s’mujsha me pranu edhe për shkak të familjes. E prej mas luftës dmth që 20 vjet kam fillu mu marrë me këtë punë se s’kom mujt me nejt kështu”, rrëfen kjo grua e moshës së mesme, që falë kësaj pune ka të ardhura të mira dhe bën jetë shumë luksoze.
Ajo tregon se ka klientë të panumërt, në mesin e tyre edhe fytyra të njohura publike, por këta të fundit maskohen me kapela për të mos u vërejtur nga publiku. Në përgjithësi njerëzit që kërkojnë ndihmën e saj ankohen për tradhti në çift, mosarritje në karrierë, sëmundje, depresion, droga, marrje me prostitucion etj.
“Unë kam shumë klienta me numra nuk munem me të thanë, kam prej Prishtinës e prej Kosovës, Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë, Amerikës, Islandë e gjithkah. Me ata që jetojnë jashtë Kosovës kontaktoj me Viber tani ata vijnë në pushime flasim këtu, tash ata e kanë sezonën”, thotë kjo fallxhore.
“Vijnë lloj-lloj, mosha, femra të reja që po shiten, po merren me prostitucion. Unë e këshilloj si fëmijën tim e thom le këtë punë se nuk bon me punu këtë punë. Vjen fmija me droga, ja kom shpëtu prej drogës”, thotë ajo.
Për të gjithë këta thotë se e falënderojnë dhe në shenjë mirënjohjeje i japin shuma parash si 100 apo 200 euro dhe stoli ari.
Pretendon se ka bashkuar shumë familje.
Ajo thotë se shumë gra i tradhtojnë burrat, por pasi kanë shikuar filxhanin dhe janë këshilluar si të veprojnë tutje nga vetë ajo. Ajo merr lëvdata të llojit: “Ti m’ke bo unë mos mu nda prej burrit”.
Gjatë ditës filxhanin e shikojnë deri në 15 persona, thotë se më shumë klientë nuk pranon, ndërsa me telefon në dorë rri deri në orën 2 pasmesnatës për shkak të kërkesave të shumta. Ajo beson në Zot dhe lutet për këtë arsye ditën e xhumasë pothuajse nuk punon kurrë.
“Tash s’po punoj edhe shumë minimum 10-15 persona i pranoj brenda ditës. Ndodhë më shumë, me telefon më nxen ora 2 e natës. Njerëzit me falendërojnë, thonë ti ke ra më ke pshtu. Dikush ma ka fotografu vendin tu dashtë me mbyt vetën, tu i folë tu e marrë me të mirë sot ai person jeton. Thojke në këtë lum po du me mbyt vetën”, vazhdon tutje rrëfimi.
Zbulon se në kohën e zgjedhjeve deputetët kanë shikuar filxhanin e kafesë për të parë nëse do të rizgjidhen përsëri. Kurse këngëtarët janë të interesuar të dinë më shumë për të ardhmen në karrierën muzikore.
E biznesmenëve u thotë: “Lidhu me këtë me këtë person, vepro në bazë temën edhe arrijnë suksese”.
“Unë problemet i shoh vetë, se shti me mi tregu klienti, unë ja ceku krejt rend. Kam njerëz që kajnë tu e kqyr filxhanin. Unë kam pas rast tri herë në ditje më kanë ardhë”, rrëfen ndër të tjera.
Gjatë kohës sa ekipi i Gazetës Express bisedoi me këtë grua, telefoni i saj vazhdimisht cingëronte, njerëzit kërkonin këshilla nga ajo se s’i të verojnë më tutje.
E njëjta thotë dhuntia e saj për parashikimin e së ardhmes është reale, ndërsa në kryeqytet ka fallxhore që mashtrojnë sa për t’u marrë para hallexhinjve. Sipas saj fallxhoret e tjera u marrin shuma marramendëse qytetarëve prej 1 mijë deri në 6 mijë euro.
Ajo thotë se doktorët e shëndetit mendor e kanë rekomanduar ta ndalojë këtë punë, pasi mund ta shkatërrojë veten nga energjia që merr prej njerëzve me halle të ndryshme.