Rrëfimi i Alban Skënderajt për largimin nga Shqipëria

Edhe pse ka një karrierë të suksesshme që ka arritur prej vitesh me punë të palodhshme, duket se jeta e Alban Skënderajt nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Në një intervistë për “A Live Night”, këngëtari ka treguar sikurse një pjesë e madhe e shqiptarëve, ai ishte nisur për emigrim që në moshë të vogël, ende pa i mbushur 15 vjet.

Siç transmeton Top Channel, ai ka treguar se është nisur me anije drejt brigjeve të Italisë mes rreziqeve të shumta, ku humbi edhe kontaktet me familjen për disa javë. Albani tregoi se një ditë pasi u nis anija e tij, u nis edhe ajo e “Otrantos” e cila përfundoi në tragjedi duke u mbytur. Familjarët e kantautorit ishin shqetësuar shumë asokohe, pasi mendonin se djali i tyre mund të ndodhej në anijen famëkeqe.

“Historia ime është sa e zakonshme për shqiptarët, aq edhe shumë interesante ndoshta për dikë që nuk e njeh Shqipërinë, ndoshta mund të bëhet një libër. Unë ika pa lejen e prindërve, ika pa mbushur 15 vjeç bashkë me një shok. Në trazirat e ’97 jetonim në Vlorë dhe donim të shihnim ato anijet, çfarë ndodhte me to. Ishim shumë kurioz, kurioziteti i një adoleshenti të papërgjegjshëm dhe të papjekur. Anijet ishin super plot me njerëz”.

“Unë nuk mendoja kurrë që do kisha shanse të hipja se ishte e pamundur që të hyje se kishin frikë. Ndodhi që një shok më tha hajde mund të hipësh. Ishte momenti kulmor i jetës time, ndryshimi që mori jeta ime në atë moment, ishte shumë i madh. Ndoshta nuk do kisha bërë atë hap mbase nuk do isha këtu. Hymë dhe as 15 min u nis anija që njerëzit kishin ditë disa që kishin brenda. Për pak rashë në det rrugës, më shpëtoi një djalë, u prish anija, filloj të merrte ujë. Ishim 400 vetë në anije”.

“Histori e jashtëzakonshme, na shpëtuan anijet italiane. Dy-tre javë nuk kam pasur kontakt me familjen. Isha dy orë larg nga vëllezërit, ata më kërkonin në Bari, nuk kisha kontakt me familjen. Një ditë pasi u nisa unë, u nis anija e Otrantos që u mbyt. Ata nuk e dinin në cilën anije isha unë. Dikush u kishte thënë që më kishte parë në anijen që u mbyt”, ka rrëfyer Albani.