Rrëfimi i 31-vjeçares shqiptare që u martua me një serb

Kjo është Shpresa Prendi që jeton në Banjën e Runikut në Skënderaj. Pjesë e kësaj shtëpie ajo është tash e gjashtë vite, që kur vendosi të martohej me Vladimirin, që vjen nga komuniteti serb.
Ndonëse një martesë e pazakontë për rrethanat e shoqërisë sonë që dalin si pasojë e historisë mes shqiptarëve dhe serbëve, Shpresa dhe Vladimiri thyen një tabu. Njëkohësisht ata dhanë shembullin se si dashuria tejkalon çdo barrierë.

E paragjykimet me të cilat u përball Shpresa kur vendosi të martohet me Vladimirin, për të kanë qenë të natyrshme.
Përveç mosmarrëveshjeve të zakonshme në çift, mes tyre nuk ka papajtueshmëri lidhur me të kaluarën shqiptaro-serbe.
Megjithatë, zonja Prendi në dhomën e saj mban simbole të ndryshme kombëtare.
Shpresa e feston në shtëpi edhe ditën e Pavarsisë së Kosovës, 17 shkurtin.

Madje ajo edhe bën tifo për Kosovën, kur kjo e fundit luan futboll.
Ajo është e bindur se martesa e saj, duhet të shërbejë si një mesazh që dashuria është mbi çdo gjë tjetër.
Për 6 vite së bashku, çifti kanë kaluar shumë sfida, por që asnjëherë nuk kanë humbur respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Por përtej gjitha këtyre, në këtë shtëpi mbretëron harmonia e lumturia.
E shpesh kur është vetëm, dëgjohen edhe tinguj të këngës shqipe.
Shpresa e Vladimiri kanë edhe një fëmijë, Natalian, për të cilën përkujdesen që t’i mësojë të dy gjuhët. Ani pse ajo e flet më mire gjuhën serbe, sipas Shpresës, vajzës së saj i pëlqen më shumë gjuha shqipe.