Rrëfimi ekskluziv se si 3 shokët e djalit shqiptar e vranë dhe xhiruan

Top Story solli ekskluzivisht nga Detroit të Shteteve të Bashkuara rrëfimet e familjes, miqve dhe autoriteteve për vrasjen e studentit shqiptar, Denis Preka, ngjarje që tronditi Amerikën.

Bashkëshorti i Majldinës dhe njerku i Denisit, Jamie është ai që ka parë videon e tmerrit prej 3 minutash, ku dukej sesi shokët nuk i erdhën në ndihmë Denisit kur ai po jepte frymën e fundit, por zgjodhën ta filmonin dhe ta tallnin atë. Ai tregon se pamje të tilla aq të rënda, nuk janë as nëpër filma
Jamie tregon sesa e donte jetën Denisi, sa ambicioz ishte dhe sesi studionte aq shumë për të marrë dy diploma.

Intervista e plotë:
Grida Duma: A mund ta pyes Xhemin vetëm për momentin e videove dhe pastaj do të të pyes për marrëdhënien tënde me Denisin, e cila ishte vërtet e veçantë. Cili ishte ai moment shokues kur kuptove se kishte disa video që jepnin prova për atë që ndodhi mes djemve dhe Denisit?
Jamie: Unë u informova nga njëri prej miqve të Denisit. Kishim marrë vesh nga policia që atë natë ishin bërë video. Dhe janë shumë mizore. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë, as në filma. Ishte përtej imagjinatës, nuk mund ta sajosh diçka të tillë.
Mënyra se si ata e trajtonin… Dhe se sa në shqetësim ishte ai, dhe ata vazhdonin. Ka vetëm rreth tre minuta e gjysmë video, por gjatë një periudhe prej ndoshta 4 ose 5 orësh. Ne shohim vetëm një pjesë të vogël. Por mund ta shohësh në vazhdim se si përkeqësohet. Dhe thjesht nuk arrij ta kuptoj se si djemtë që ishin aty nuk njoftonin urgjencën e të kërkonin ndihmë për të. Dhe në pikën kur ai ishte shumë afër vdekjes, ata e ngacmonin dhe e tallnin. Një mungesë respekti i plotë për jetën. Sjellje sociopatike, psikopatike.
Grida: Cila ishte reagimi yt emocional? A doje t’ia tregoje Lindës këtë apo doje ta mbroje?
Jamie: Jo, nuk doja t’ia tregoja Lindës. Aspak.
Jamie: Ishte shumë për të. E dinte që ishte keq. E dëgjoi nga policia dhe njerëzit që tregonin se sa tronditëse ishte. Dhe është. Është shokuese, Të thyen zemrën. Isha i trishtuar, isha i zemëruar, ndihesha i pafuqishëm. Kalonin emocione të ndryshme. Dhe më bënë të njëjtën pyetje në gjyqin civil kur po dëshmoja. Pesë vite e gjysmë më parë kur e pashë për herë të parë… Nuk e kisha parë për një kohë të gjatë. Nuk doja t’i shihja videot, por u paraqitën në gjykatë dhe ndjenjat ishin të njëjta, i njëjti reagim si herën e parë kur e pashë, ashtu dhe herën e fundit pesë vite më vonë. Ishte thjesht e tmerrshme.
Grida: Kishit një marrëdhënie shumë të veçantë, apo jo? Kam parë disa video të shkurtra, se si luanit të dy kitarë. A ndanit interesa të përbashkëta, të themi, shpirtërore, emocionale, ndjenja dhe shije të sofistikuara. Si e mbani mend atë? Si e keni parë të rritet?
Jamie: Po, e njoha Denisin kur ishte 15 vjeç, dhe e njoh Denisin për gjashtë ose shtatë vite pothuajse. Dhe e pashë të bëhet nga një djalosh i ri adoleshent në burrë të ri. Edhe kur e takova për herë të parë, ishte e mbresëlënëse se sa i sjellshëm ishte, sa kureshtar ishte, inteligjent. Mund të bisedoje me të për gjëra që shfaqte kureshtje dhe nuk ishin biseda tipike si me një djalë 15-vjeçar. Kishte një besim të thellë, e donte Jezusin dhe ne flisnim shumë për këtë. Unë ndihesha si mentor për të në shumë gjëra, por gjithashtu edhe si mik. E pëlqente muzikën dhe kur mori vesh që luaja kitarë, shfaqi shumë interes. Morëm një kitarë pak pas kësaj dhe i mësuam akordet dhe luanim këngë së bashku. E adhuronte. Mësonte një melodi të një kënge në kitarë dhe më thoshte: “Xhemi, shiko këtë, shiko këtë”, dhe luante. E bënte gabim herët e para, “prit”, thoshte “e kapa” dhe pasi luante ishte i lumtur dhe krenar. Pastaj mësonim këngën dhe luanim së bashku. Muzika ishte pjesë e madhe e marrëdhënies tonë. Sportet,
Denisi e pëlqente shumë futbollin, ishte tifoz me Milanin. Unë jam më shumë një tifoz i futbollit amerikan. Kështu që ndava dashurinë time për futbollin amerikan me të dhe e çova atë në ndeshjen e parë të NFL-së, Detroit Lions. Po, ai… Kishte ëndrra të mëdha. Mësoi nga nëna e tij që është mirë të ëndërrosh. Por gjithashtu mësoi që nuk mjafton të ëndërrosh, duhet dhe shumë punë. Ëndrrat mund të arrihen, por duhet të punosh shumë për to dhe ai ishte i gatshëm të bënte atë punë, qoftë akademikisht, ose me shoqatën e studentëve shqiptaro-amerikanë që krijoi. Bizneset, shkruante modele biznesi për një agjenci udhëtimi që donte të hapte. Pra, një person i jashtëzakonshëm në të gjitha nivelet.
Grida: Kur të pyeta se si u njohët ju të dy, më the që kam dëgjuar historinë e saj, sfidat dhe guximin e saj, dhe i thashë shokut tim që “kam takuar të duhurën” sepse “historia e saj më ka treguar që kam takuar të duhurën”, apo jo? Denisi ishte pjesë e historisë së saj gjithashtu dhe ti e ndjeje atë gjithashtu si pjesë të historisë tënde që nga momenti i parë?
Jamie: Një nga gjërat e para që ajo më tregoi ishte për Denisin. Ajo më pyeti a kam fëmijë dhe unë kisha dy vajza, vajza më të mëdha, afërsisht në moshën e Denisit. Mendoj se një nga gjërat që na afroi shpejt ishte dashuria e përbashkët për fëmijët dhe përkushtimi. Unë isha baba beqar dhe vajzat i mbaja gjysmën e kohës, gjë që është pak e pazakontë në Shtetet e Bashkuara. Shpesh herë babai nuk ka kujdestarinë 50/50 dhe besoj se ajo ka menduar: “Kjo është diçka e veçantë, ky mund të jetë ndryshe”.
Grida: Tregon diçka për ty.
Jamie: Dhe sigurisht historia e saj ishte, sigurisht, përkushtimi dhe dashuria për Denisin. Kështu që, po, unë u njoha me Denisin disa muaj pasi u takuam. Më la mbresa dhe nuk u befasova, bazuar në atë që dija për nënën e tij. Por ishte thjesht e lehtë. Më pas bashkuam familjet tona përmes martesës dhe vajzat e mia e adhuronin Denisin. Po, ishte e mrekullueshme, ishte e pabesueshme.
Grida: Linda më ka thënë shpesh që pa ty, pa mbështetjen tënde, dhe duke qenë personi i mrekullueshëm që je për të, si bashkëshort dhe si mik, ajo nuk do t’ia kishte dalë mbanë. Por mendon se të qenit amerikan i lindur e ka forcuar procesin gjyqësor dhe mundësitë e saj për ta fituar gjyqin? Sepse Linda më ka thënë shpesh që: “Unë isha emigrante, erdha në SHBA dhe po të kisha pasur bekimin që të kisha Xhejmin me vete, ndoshta nuk do të më merrnin shumë seriozisht”. E mendon kështu?
Jamie: Fakti që flas gjuhën, natyrisht, e ndihmoi me shkrimin e e-mail-eve dhe komunikimin e asaj që ajo përpiqet të shprehë me këdo që duhet ta dëgjojë. Mendoj që kjo pjesë e ka ndihmuar, për të mbaruar punë me disa nga këto gjëra.Por kam përshtypjen që me ose pa mua, ajo do të gjente një mënyrë tjetër. Por jam i nderuar, i privilegjuar, i bekuar që jam përkrah saj për ta ndihmuar.
Linda: Burri im mund të të tregojë se si u mbyll çështja dhe si u hap tani. Se çfarë ndodhi në mars.
Grida: Kemi marrë një lajm të mirë që detektivët po e vazhdojnë çështjen dhe ndoshta, siç tha Linda, kemi kontribuar pak duke dërguar email-e tek zyrtarët. Si e shikon me vazhdimin e çështjes?
Linda: Ajo do të dijë…
Jamie: Ia shpjegove për provat?
Linda: Nuk ia shpjegova shumë, por mund ta vazhdosh ti që këtu.
Grida: Diçka shumë…
Linda: Që kur takuam shefin e policisë së Novait. Mund ta fillosh me atë. Se si nuk arrija të lija dot një takim. Mund ta fillosh që aty.
Jamie: Po, Linda ka kontaktuar me telefon dhe email-e me Policinë e Novait që ata ta shikojnë përsëri këtë çështje. Kishte disa pika të veçanta të provave që ose janë anashkaluar nga prokurori, ose janë injoruar, ose janë keqkuptuar nga prokurori. Shefi i policisë në Novait nuk është i njëjti që ishte kur u krye krimi. Kështu që, ai nuk ishte shumë në dijeni për detajet e çështjes dhe as detektivi që punoi me të nuk është më atje. Kur ishim në Miçigan, në mars, për të vizituar Denisin, në përvjetorin e ditëlindjes, ajo vendosi që thjesht do të shkojë te departamenti i policisë…
Grida: Pa takim.
Jamie: Pa takim, thjesht për të gjetur dikë për të folur, mundësisht shefin. Dhe kështu ndodhi, thjesht hyri në derë dhe i tha oficerit atje që erdhëm për të takuar shefin Zenzer, dhe nëse është i lirë. Në fakt, ai u tregua i gatshëm. U ulëm në një dhomë intervistash dhe nga përvoja e Lindës me këtë punë, ajo ndaloi para se të fillonte biseda dhe pyeti shefin: “A mund ta regjistrosh këtë bisedë?”.
Linda: Ta regjistrojmë.
Jamie: Ai u befasua pak nga kjo, por pranoi. Doli nga dhoma e më pas pamë dritën e kuqe të ndizet në dhomën e intervistës, që tregon se po regjistrohet. Nuk donim të kishte ndonjë ngatërresë për atë që u tha, që u diskutua, për gjërat që ndamë. Kështu që, ajo përsëriti shqetësimet e saj me provat.
Linda: Me provat.
Jamie: Po, me provat. Dhe shefi Zenzer ka qenë i shkëlqyer, ai dëgjoi, mund ta kuptoje që kishte disa gjëra që ai po dëgjonte që nuk i kuptonte plotësisht ose nuk mund të jepte një shpjegim.
Por ai u angazhua atë ditë që të caktonte një detektiv për çështjen dhe premtoi që do ta rishikonin gjithë çështjen, provat, dhe e kanë bërë.
Dhe me gjyqin civil tani, që vazhdoi deri në verë, avokati ynë Majkëll Moris kërkoi nga policia që të presin para se të shkojnë në prokurori me gjetjet e hetimeve. Shqetësimi ishte që nëse rihapin hetimin, gjyqi civil do të lihej në pritje ndërkohë që vazhdonte hetimi penal, dhe do të kishim shpresa që të niste gjyqi. Dhe ata e respektuan këtë. Sapo gjyqi civil përfundoi me atë vendim dhe atë gjykim, kontaktuan me zyrën e prokurorisë dhe lanë një takim në shtator, ku do të rekomandojnë që akuzat të rikthehen.
Do të ngrenë çështjen duke thënë se këto janë gjetjet që duhet t’i dini, që të mund të merrni këtë dënim, dhe kjo është situata tani.
Grida: Fjala e fundit nga ju? Diçka që dëshiron të thuash për gjithçka që folëm, jo vetëm për Denisin, për veten tuaj, për familjen tuaj, për gjithçka që ka ndikuar në jetën tuaj gjithë kjo tragjedi dhe ky rrugëtim?
Jamie: Ka qenë e vështirë. Është shumë sfiduese çdo ditë, lufta për drejtësi, përballja me jetën pa Denisin. Se sa e vështirë ka qenë për vajzat e mia. Bekimi i foshnjave, është diçka e madhe. Ka shumë emocione të ndryshme. Dhe si ndryshoi rrjedha e jetës sonë aq shumë atë ditë. Çfarëdo planesh që kishim për jetën, ndryshuan përgjithmonë. Sigurisht, në një mënyrë të tmerrshme, por në të tjera kemi qenë të bekuar me foshnjat. Ajo që kam mësuar, është të mos e marrësh asnjë ditë si të mirëqenë.
Mos i merrni si të mirëqena marrëdhëniet tuaja. Kur jeni me njerëzit që doni, investoni vërtet në atë kohë që keni, në mënyrë që, mos e dhëntë Zoti, por nëse ndodh ndonjë tragjedi, të mos e kujtoni me pendim, por ta keni jetuar atë marrëdhënie në maksimum.Ndaj përpiqem të jetoj sipas kësaj ideja. Gjëja tjetër me këtë çështje, me këtë tragjedi, është thjesht ndërgjegjësimi që duhet të kenë të rinjtë. Gjëra si Adderall po përdoren shpesh dhe me neglizhencë të madhe për sa u përket rreziqeve, mund të jenë shumë tepër të dëmshme. Të pish një ilaç që jepet me recetë e që nuk është i yti, mund të jetë e rrezikshme, por kujt mund t’i besosh vërtet? Nuk e di çfarë ilaçi mund të marrësh. Denisi ishte me një nga shokët e tij më të mirë dhe përfundoi në një situatë të tmerrshme. Nga të gjithë të rinjtë që njoh, ai ishte më pak i mundshmi që ta vendoste veten në atë situatë. Ai ishte i përgjegjshëm, i kujdesshëm, me kokën mbi shpatulla. Kështu që nëse mund t’i ndodhë Denisit, mund t’i ndodhë kujtdo. Dhe gjëja tjetër me këtë është që nëse shihni një mik në vështirësi, nëse shihni dikë në vështirësi, sidomos në atë gjendje, bëni gjënë e duhur dhe kërkoni ndihmë për atë person. Mos u shqetësoni për veten apo se në çfarë telashesh mund të futeni. Thjesht bëni gjënë e duhur dhe sigurohuni që të shpëtoni një jetë.
Linda: Ka edhe ligje… duhet të sigurohemi që ta dinë. Edhe nëse e keni shkaktuar ju vështirësinë, është një ligj që nëse shpëtoni një jetë, mund të futeni në telashe por edhe mund të shpëtoni nga telashet.
Jamie: Ajo tha që Denisi kishte shkuar te Jezusi dhe që donte të bekonte mamanë. Më tha që kishte lindur për të qenë nënë. Ishim të dy të bindur që me ndihmën e Denisit, për ne, ne shkuam te Jezusi dhe tani kemi Grejsin dhe Xhejmsin